Katër persona janë mbytur pasi një varkë me emigrantë u ndodh në vështirësi teksa po kalonte kanalin anglez në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Sipas informacioneve të fundit, 43 persona janë shpëtuar, 30 prej të cilëve ndodheshin në ujë.
Një operacion madhor kërkim-shpëtimi po zhvillohet në ujërat mes lokalitetit të Kentit dhe Francës, nën kushte të vështira moti.
Në reagimin e saj, qeveria britanike e cilësoi ngjarjen një “incident tragjik”.
Në një reagim në Twitter, ministrja e Brendshme Suella Braverman deklaroi se “mendimet më të përzemërta” të saj ishin me njerëzit e përfshirë në incident.
Ajo shtoi se po mbahet e informuar nga agjencitë ligjzbatuese.
Episodi i rëndë vjen një ditë pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak njoftoi strategjinë e re për t’i dhënë fund emigracionit të paligjshëm përmes La Manshit, duke e vënë theksin tek fluksi i emigrantëve shqiptarë.


