Lajme

Katër prokurorë shtesë për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë

06/01/2021 15:16
nga:N M


Përmes rishikimit të buxhetit për vitin 2021, nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë do të barten mjete për rekrutimin e 4 prokurorëve, 6 bashkëpunëtorëve profesional dhe 2 përkthyes për Departamentin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Blic.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë.

Për të diskutuar këtë çëshjte dhe buxhetin shtesë, ministrja Albulena Haxhiu ka takuar Kryesuesin e Këshillit Prokurorial dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj.

Njoftimi i plotë:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me zv. Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, pritën në takim Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Gjatë takimit u diskutua çështja e sigurimit të mjeteve buxhetore me qellim të shtimit të numrit të prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe stafit tjetër mbështetës në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast Ministrja Haxhiu e njoftoi Kryesuesin Maloku dhe Kryeprokurorin Isufaj se Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2021. Në këtë drejtim, bazuar në programin qeverisës dhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, jemi të përkushtuar që organeve të zbatimit të Ligjit të iu krijojmë kushte për punë sa më efikase me qëllim të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Ministrja Haxhiu theksoi se, Ministria e Drejtësisë është e gatshme që përmes rishikimit të ligjit të buxhetit të ndajë mjete nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë të cilët do të mundësojnë rekrutimin e 4 prokurorëve të rinj, 6 bashkëpunëtorëve profesional dhe 2 staf tjetër mbështetës përkatësisht përkthyes në Departamentin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Tutje, Ministrja Haxhiu theksoi se është nevojë dhe domosdoshmëri shtimi i kapaciteteve në këtë departament për faktin se tashme shumë shpejtë do të miratohen ndryshimet e nevojshme ligjore përmes të cilave eliminohen pengesat dhe rrjedhimisht mundësohet hetimi por edhe gjykimi në mungesë i kriminelëve të cilët kanë kryer krime lufte.
Me këtë rast Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Maloku dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Isufaj, e falënderuan Ministren Haxhiu për gatishmërinë e sigurimit të mjeteve buxhetore nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, dhe shprehën përkushtim për bashkëpunim me Mistrinë e Drejtësisë me qellim të adresimit të sfidave me të cilat haset sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Ky është kandidati i LDK-së për kryetar të Vitisë