Lajme

Katër ditë nga greva e minatorëve të Trepçës, Krasniqi: Asnjë pushtetar nuk i ka vizituar

10/27/2023 12:22
nga:N K

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar për grevën që po mbahet nga minatorët e Trepçës që katër ditë.

Krasniqi ka shkruar se po bëhën katër ditë që kur ka filluar greva, dhe se gjendja e tyre po përkeqësohet.

”Kjo formë e protestës nuk ishte zgjedhje e tyre – por ishte zgjidhja e vetmja për shkak të injorimit të plotë që u ka bërë Qeveria kërkesave të tyre për më shumë se dy vjet. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme – andaj duhet të plotësohen urgjentisht”, ka shtuar Krasniqi.

Tutje, i pari i PDK-së, ka shtuar se që nga fillimi i grevës, minatorët që po qëndrojnë qindra metra në thellësi të tokës, nuk janë vizituar nga kryeministri e as nga ndonjë tjetër pushtetar.

“Megjithatë, fshehja nuk është zgjidhje. E ftoj Kryeministrin dhe Qeverinë që t’u dalin zot premtimeve të tyre ndaj minatorëve dhe të plotësojnë kërkesat që ata kanë. Nuk duhet ta rrezikojnë shëndetin e qindra minatorëve vetëm për ta mbajtur me zor në krye të Trepçës një militant partiak”, ka shkruar Krasniqi.