Lajme

Katastrofë mjedisore në Vlorë, tymi i plehrave pushton qytetin

07/26/2024 20:41
nga:Y I

Skandal me mbetjet urbane në Vlorë.

Vendgrumbullimi i plehrave ka shpërthyer sot në flakë dhe tymi ka mbuluar të gjithë qytetin bregdetar, ku aktualisht pushojnë mijëra turistë, shqiptarë e të huaj.

Siç e shihni në këto pamje, shtëllungat e tymit janë përhapur mbi qytet dhe në plazhet e Vlorës, ku pushuesit janë detyruar të largohen. Ky skandal është një kronikë e paralajmëruar. Ka ndodhur kështu edhe 1 vit më parë.

Zgjidhja e problemit të plehrave në Vlorë dhe në Orikum, të cilat po dëmtojnë mjedisin dhe imazhin e Shqipërisë turistike, mbahet peng nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Kjo ministri duhet të kishte miratuar kuadrin ligjor që në muajin Nëntor të vitit 2023 në mënyrë që të mundësonte operimin e landfillit të Sherishtes, që do t’i jepte zgjidhje problemit të mbetjeve. Po kanë kaluar 8 muaj dhe dokumentacioni nuk është ende gati.

8 muaj për një VKM, e cila, nëse do të ishte miratuar në kohë, do ta kishte evituar këtë katastrofë mjedisore dhe këtë pamje skandaloze që përbën reklamën më të keqe të Shqipërisë turistike. Zgjidhja është vonuar edhe nga Ministria e Financave, pjesë e ndryshimit të kuadrit ligjor për të vënë në punë landfillin e Sherishtes.

Ajo që shohim sot në këto pamje, nuk është gjë tjetër veçse një dështim i Ministrisë së Turizmit e Mjedisit dhe Ministrisë së Financave.