Lajme

Kastrati: Rënie në indeksin e lirisë së medias, pasojë e veprimeve të regjimit autoritar të qeverisjes së Albin Kurtit!

05/03/2025 16:39
nga:Y I

Kosova ka shënuar një rënie të re dhe shqetësuese në Indeksin Vjetor të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF), duke u renditur në vendin e 99 nga 180 shtete, rënie drastike krahasuar me vitin e kaluar kur ishte në vendin e 75.

Raporti thekson se gazetarët në Kosovë janë shënjestra të vazhdueshme të sulmeve politike.

“Edhe pse media ka qenë e suksesshme për të mbajtur politikanët përgjegjës, gazetarët kanë vazhduar të jenë target i sulmeve politike…” thuhet në raport.

Në lidhje me këtë regres në lirinë e mediave ka folur për “Gazeta Blic” profesori universitar, Ardian Kastrati.

Kastrati tha se e gjitha kjo është pasojë e veprimeve të regjimit autoritar të qeverisjes së Albin Kurtit.

Ai theksoi se është hera e parë në historinë e pasluftës që Kosova renditet më keq se Serbia në aspektin e lirisë mediatike.

“Rënia e Kosovës në vendin e 99-të në Indeksin e Lirisë së Shtypit përfaqëson një regres të thellë demokratik dhe institucional . Kjo është pasojë e veprimeve të regjimit autoritar të qeverisjes së Albin Kurtit.Viktor Urban, Vucic e Lukashenkso po e xhelozojnë Kurtin . Tani Kurti mund të ju ligjëroj këtyre si kampion i modelit autokratik të qeverisjes në Evropë.Është hera e parë në historinë e pasluftës që Kosova renditet më keq se Serbia në aspektin e lirisë mediatike – një indikator tronditës që sinjalizon krizën serioze të pluralizmit, transparencës dhe tolerancës ndaj kritikës” tha Kastrati për “Gazeta Blic”.

Ai tutje theksoi se ‘presioni i ushtruar ndaj mediave paraqet një rrugë të qartë drejt modeleve autokratike të komunikimit politik’.

Kastrati tha se diskursi i Kurtit ndaj mediave shpesh përmban elemente populiste dhe përjashtuese.

“Qeverisja e Kurtit, që nga viti 2020, ka adoptuar një qasje sistematike të centralizimit të pushtetit, ku kontrolli ndaj narrativës publike është kthyer në prioritet politik.Presioni i ushtruar ndaj mediave, si nëpërmjet diskursit denigrues, shpifjeve ndaj gazetarëve, pengesave në qasje në informacione publike dhe përpjekjeve për delegjitimimin institucional të mediave kritike, paraqet një rrugë të qartë drejt modeleve autokratike të komunikimit politik.Diskursi i Kurtit ndaj mediave shpesh përmban elemente populiste dhe përjashtuese, duke i etiketuar gazetaret si “të kapur”, “të shitur” apo pjesë të “shtetit të vjetër”, çka kontribuon në delegjitimimin e rolit të katërt të pushtetit në një demokraci funksionale”

“Kjo qasje përputhet me konceptin e “erosionit demokratik të brendshëm” (internal democratic backsliding), ku institucionet nuk sulmohen me dhunë, por gërryhen përmes diskursit autoritar dhe kontrollit informal. Për më tepër, kur qeveria ndërhyn në bordet e RTK-së apo ushtron ndikim mbi fondet publike që u shpërndahen mediave, krijohet një asimetri strukturore që cenon autonominë redaksionale dhe orienton agjendën mediatike drejt një monologu shtetëror” deklaroi Kastrati.

Profesori universitar, Kastrati, tha se ‘vendosja e Kosovës pas Serbisë në këtë indeks, nuk është thjesht një dështim mediatik, por një pasojë drejtpërdrejtë ndaj një modeli të qeverisjes që e sheh median si armik politik.

“Paradoksi më i thellë është se një qeveri që erdhi në pushtet mbi premtimin e reformës dhe transparencës, ka kultivuar një kulturë të mbylljes së komunikimit, mungesës së konferencave për shtyp dhe shmangies së ballafaqimit me gazetarët kritikë. Kjo tregon një dështim esencial në respektimin e parimit të llogaridhënies – një shtyllë themelore e çdo rendi demokratik.Në këtë mënyrë, vendosja e Kosovës pas Serbisë në këtë indeks, nuk është thjesht një dështim mediatik, por një pasojë drejtpërdrejtë ndaj një modeli të qeverisjes që e sheh median jo si partnere të informimit publik, por si armik politik. Rënia në indeks është një simptomë e një sëmundjeje më të thellë: autoritarizmit të butë të institucionalizuar” tha Kastrati në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

Kosova bie në vendin e 99 në Indeksin e Lirisë së Shtypit – AGK: Alarm për gjendjen e mediave