Lajme

Kastrati: Nesër do t’i kontaktojë për koalicion partitë politike që mund të qeverisim bashkë (VIDEO)

10/19/2021 23:55
nga:M K

Kryetari aktual dhe kandidati që synon të qeverisë edhe për një mandat nga PSD-ja me Kamenicën, Qëndron Kastrati, vlerëson se rezultati i zgjedhjeve lokale është i mirë.

“Nëse i sheh vetëm si shifra ta jep përshtypjen se s’janë shumë por kur e sheh se me çka jemi ballafaquar veçanërisht me reformat në arsim është një rezultat shumë i mirë. Gjithsesi është e qartë pasi Gjykata Supreme ka thënë që kryetari i komunës ka të drejtë dhe jashtëligjshëm ministrja Nagavci ka ndërhy. Të gjitha veprimet i ka bërë vetëm për zgjedhje”.

Kastrati në “Edicionin Special” bëri të ditur se kundërkandidati Kadri Rahimaj nga Lëvizja Vetëvendosje nuk është i duhuri për kryetar.

“Çdo gjashtë muaj kemi bërë matje për të parë se ku jemi. Unë jam i bindur që LVV në Kamenicë ka bërë gabim me kandidatin që ka zgjedhur për Kamenicën, pasi s’ka maturinë dhe qëndrimin prej një kandidati dhe nuk ka pasur përvojën dhe pjekurinë që i duhet”.

Tutje Kastrati theksoi se qysh nesër do të kontaktoj me subjektet politike për të bërë koalicion teksa nuk specifikoi as emër e as parti konkrete për të udhëhequr në katër vjetët e ardhshme.

“Jemi në fazën e analizës se cilat marrëveshje kishin me qenë frytdhënëse të gjithë kemi pas nevojë për 48 orë me reflektuar dhe nesër ose pasnesër do të kontaktoj të gjithë ata që mendojë se mund të bëhemi bashkë për të qeverisur në katër vitet e ardhshme.

Subjekti nuk ka qenë i përfshirë as në fushatë, pasi kështu kanë vendosur.

Në rrethana normale dhe që kam provuar në mandatin e kaluar mendoj se nuk duhet të ketë koalicione në nivel komunal. Qysh funksionojmë si Kosovë në skenën politike është pashmangshme pa bërë koalicione politike. Do të pajtohem me këtë mendësi dhe do të mundohem t’i sigurojë edhe numrat për kuvendin komunal. Do të kontaktoj të gjitha partitë politike”, deklaroi Kastrati.