Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka folur rreth masave të fundit të qeverisë, pas rritjes së numrit të madh të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19.
Kastrati tha se takimin që e kanë mbajtur gjatë ditës së sotme me kryetarët e komunave ishte më shumë informues rreth masave që do të fillojnë të aplikohen nga data 1 shtator.
“Përgjithësisht janë mbajtur disa takime, takimi i sotëm ishte më shumë informativ, u informuam që mësimi nuk do të fillojë deri më 13 shtator”.
Tutje Kastrati tha se zyrtarët komunalë duhet të jenë të vaksinuar ose të kenë një test negativ pas datës 13 shtator.
“Zyrtarët e institucioneve publike prej datës 13 shtator duhet të jenë të vaksinuar ose të kenë një test PCR jo më të vjetër se 72 orë, ose një test serologjik jo më të vjetër se një muaj”, tha ai në Klankosova.
Kreu i Kamenicës rreth masave të reja tha se do të ketë orë policore.
“Do të bëhet shkurtimi i orarit të gastronomisë, ndërsa pas orës 22:00 do të ketë orë policore”.
“Gjithashtu në takim është folur edhe për organizimin dhe shtimin e stafit shtesë për të vaksinuar më shumë qytetarë”.
Kastrati tutje tha se ministri Vitia tha se arsyet që nuk po shtohen kapacitetet është mungesa e vaksinave.
“Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se arsyet kryesore që nuk po shtohen kapacitet është që s’kemi vaksina të mjaftueshme, ndërsa në javën e dytë të shtatorit tha se pritet të arrijnë më shumë vaksina, ku do të jetë e mundur që të shtohen kapacitetet në mënyrë që të vaksinohen më tepër qytetarë”.