Lajme

Kastrati i PDK-së: Gërvalla është mediokre, ka ngatërruar edhe shtetin që e përfaqëson

07/04/2024 12:42
nga:G C

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati ka akuzuar rëndë Donika Gërvallën duke thënë se po e ngatërron edhe vendin që po e përfaqëson.

Kastrati në një prononcim për GazetaBlic thekson se, në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme kemi një person të dyshimtë.

“Këto gabimet për emrin e Kadaresë me “IsmaEL”, me ngatërrim të flamujve e emrave të shteteve janë dytësore. Gërvalla së pari e ka ngatërruar shtetin të cilin e përfaqëson, sepse ajo ka shpreh gatitshmëri në medie që të dëshmojë kundër themeluesve të shtetit, që po akuzohen në Hagë me dokumente të prodhuara nga UDB-ja serbe”, tha Kastrati.

“Kjo tregon se në krye të një dikasteri aq të rëndësishëm kemi një person të dyshimtë, ndërsa ngatërrimi i emrave dhe flamujve tregon që ajo është skajshmërisht mediokre”, shton tutje Kastrati.

Sipas Kastratit, ky është një fakt i tmerrshëm

“Është i tmerrshëm ky fakt. Në njërën anë Serbia i edukon gjeneratat e reja me poezinë e Rakiçit për Simonidën, me ” Arbanasi i velike sile” te Vladan Gjorgjeviçit dhe me veprat e Dobrica Qosiqit, të cilat përçojnë mesazhe të një racizmi të paprecedentë ndaj shqiptarëve, ndërsa në anën tjetër kemi një Ministre të Jashtme të Kosovës që shprehet e gatshme në medie për të dëshmuar kundër atyre që luftuan Serbinë”, tha Kastrati.

“Rrjedhimisht, ne si shoqëri duhet të sqarojmë se çfarë duam të bëjmë me vetveten dhe me të ardhmen tonë. Këtu është çelësi i suksesit, ose është mallkimi që do të marrin nga historia. Kjo varësisht nga zgjedhjet tona, me Gërvallën apo pa çiftin e saj”, përfundon Kastrati për GazetaBlic.

Shala i PSD-së për ‘huqjet’ e Gërvallës: Problemi këtu është logjika e Kurtit për politikë, ministrat janë instrumente të tij