Lajme

Kastrati e quan “mashtrues” Kurtin: BE e konfirmoi se kryeministri i ka manipuluar qytetarët

04/25/2024 16:37
nga:G B

“Mashtrues”, e ka quajtur Ardian Kastrati, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, kryeministrin Albin Kurti.

Me anë të një postimi në Facebook, Kastrati ka thënë se Bashkimi Evropian e ka konfirmuar që kryeministri Kurti ka mashtruar e manipuluar qytetarët e Kosovës.

“BE na e konfirmoj:  ALBIN KURTI KA MASHTRUAR E MANIPULUAR QYTETARËT NË KOSOVË ! Marrëveshja e Ohrit është bërë zyrtarisht pjesë e negociatave BE-Serbi. Tani më kjo është obligative për Serbinë nëse dëshiron integrim në BE. Ky amandamentim konfirmon edhe ndërkombëtarisht se Albin Kurti ka mashtruar e manipuluar qytetarët. Pra, KA RREJT PËR VOTA, sepse kurrë s’ka pasur nevojë për nënshkrim nga Serbia”, shkroi ai.

Deputeti Kastrati potencon se kjo marrëveshje tanimë është pjesë zyrtare e kapitullit të 35 për Serbinë në negociatat për anëtarësimin e saj në BE.

Dhe sipas tij, këtë ndryshim të kapitullit të 35 e bënë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Për ata që se kuptojnë : nëse Serbia nuk i zbaton detyrimet nga marrëveshja e Ohrit kjo nënkupton braktisje të rrugës së saj të integrimit në BE. Ndërsa, kush dëshiron me vazhdu me i besu rrenave…Kurti ka sa të doni ! Përveç kësaj, Parlamenti Evropian e miratoi paketën e rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor e cila do të formalizohet edhe nga Këshilli i BE-së. Mirëpo, përveç përmbushjes së kritereve bazike jo edhe aq të lehta, Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin edhe kritere shtesë politike”, shtoi më tej ai.

Kastrati vlerëson se parakushti kryesor do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Vlerësimet se a e përmbushin apo jo këtë kriter Kosova apo Serbia, siç thotë Kastrati do ta japë Komisioni Evropian i ndihmuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), që edhe luan rolin kryesor në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

May be an image of 1 person and text