Lajme

Kastrati: Ata që sot e mbështesin Kurtin verbërisht, shumë shpejt do të turpërohen nga emri i tij!

09/30/2024 18:38
nga:G C

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka kritikuar ashpër Kryeministrin Albin Kurti për mungesën e takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë gjatë sesioneve të OKB-së.

Ai tha se në katër vitet e mandatit, Kurti nuk ka shkelur në Shtëpinë e Bardhë dhe se asnjë lider tjetër nga Kosova nuk ka pasur këtë përvojë.

Kastrati në një përgjigje dhënë për GazetaBlic theksoi se çdo kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në të kaluarën ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë amerikanë, ndërsa Kurti ka zgjedhur të takojë vetëm liderë të tjerë, si kryeministrin e Lihtenshtajnit, duke e quajtur këtë një “debakel” në politikën e jashtme.

“Kryeministri Kurti nuk ka shkelur në Shtëpinë e Bardhë për katër vite mandati. Të shkojë në sesione të OKB-së dhe të mos takohet me asnjë zyrtar të lartë amerikan, kjo i ka ndodhur vetëm Kurtit. Çdo kryeministër dhe ministër i jashtëm i Kosovës në të kaluarën, gjatë sesioneve të OKB-së, ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të lartë amerikanë, dhe jo vetëm. Të marrësh rrugë deri në OKB për t’u takuar me kryeministrin e Lihtenshtajnit është një debakel në politikën e jashtme. Kjo tregon që Kurti është i padëshirueshëm nga aleatët e fortë të Kosovës. Fatkeqësisht, pasojat e këtij izolimi ndërkombëtar i vuan Kosova dhe jo Kurti”, tha Kastrati.

Ai shprehu shqetësimin se izolimi ndërkombëtar i shkaktuar nga Kurti ka pasoja të rënda për Kosovën, duke theksuar se qytetarët po paguajnë për një “turizëm” politik të Kryeministrit në SHBA, ku ai zhvillon takime me komunitetet shqiptare për fushata zgjedhore.

Kastrati përfundoi duke thënë se ata që e mbështesin Kurtin “verberisht” do të turpërohen nga emri i tij kur të kuptojnë pasojat e politikave të tij.

“Ndërsa, Kurti me taksat e qytetarëve bën turizëm në SHBA, duke takuar komunitetet tona për fushatë zgjedhore të VV-së. Izolimi ndërkombëtar që Kurti ia ka shkaktuar Kosovës, për shkak të armiqësimit të tij me të gjithë botën, do t’i kushtojë Kosovës shumë edhe për një kohë të gjatë dhe në shumë drejtime. Kur të kuptojnë këto pasoja ata që sot e mbështesin Kurtin verbërisht, do të turpërohen nga emri i tij, por atëherë do të jetë vonë për ta, për ne dhe për gjithë Kosovën”, tha Kastrati për GazetaBlic.

EULEX thotë se situata e sigurisë në Veri vazhdon të jetë e brishtë

Humolli për takimet e Kurtit në ShBA: VV’ja, në rrugën e partive që s’i besojnë popullit