“Që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit qasja ndaj veriut ka ndryshuar në varësi të rrethanave”.
Kështu tha për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike, Afrim Kasolli.
Kasolli tha se Kryeministri Kurti në fillim ishte i fokusuar në kërkim të një zgjidhjeje politike për veriun, por pastaj me bllokimin e këtij procesi, u angazhua më shumë që problemin e veriut ta zgjidh me masa policore dhe ligjore.
“Që nga ardhja në pushtet e Albin Kurtit qasja ndaj veriut ka ndryshuar në varësi të rrethanave. Fillimisht kryeministri Kurti ishte i fokusuar në procesin e negociatave në Bruksel në kërkim të një zgjidhje politike për këtë temë. Në funksion të këtyre qëllimeve edhe ndodhi dakordimi për Marrëveshjen bazike të Brukselit dhe Aneksin e zbatimit të Ohrit, sipas planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”
“Mirëpo, me bllokimin e këtij procesi, për shumë arsyeje, atëherë duket sikur Kryeministri Kurti e “braktisi” detyrimin ndaj kësaj marrëveshje dhe u angazhua më shumë që problemin e veriut ta zgjidh me masa policore dhe ligjore. Këtë ndryshim taktika ai e ka arsyetuar me refuzimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, për ta nënshkruar marrëveshjen në fjalë, si dhe letrën e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, dërguar Bashkimit Evropian, në të cilën ajo konfirmon, se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, sepse ky shtet deklaron se nuk do t’i përfill disa nene të kësaj marrëveshjeje” tha Kasolli për “Gazeta Blic”.
Kasolli renditi disa nga veprimet e ndërmarra nga kryeministri Kurti në lidhje me Veriun.
“Në këtë kontekst, veprimi për targat, ndalimi i qarkullimit të dinarit serb, mbyllja e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në veri të Kosovës, konfiskimi i vilave të Milan Radoeqicit në afërsi të liqenit të Ujmanit, e deri të nisma për ndërrimin e statusit të urës mbi lumin Ibër, janë pjesë e kësaj qasje të re taktike. Aksione të tilla shpeshherë e kanë tensionuar raportin me bashkësinë ndërkombëtare. Kosova është qortuar dhe sanksionuar, kurse mjerisht të gjithë kemi qenë dëshmitar se si sulmi paramilitar i grupeve terroriste nga Serbia me 24 shtator thuajse u barazua në Këshill të Sigurimit të OKB-së thuajse me atë për ndalimin e dinarit serb”
Analisti Kasolli tha se nuk mund të mohet fakti se disa nga aksionet e ndërmarra nga, Qeveria e Kosovës, nuk kanë sjellë ndryshime në veri.
Megjithatë, sipas Kasollit, fitoret ligjore jo domosdoshmërisht janë përkthyer në edhe në fitore politike të shtetit të Kosovës në atë pjesë.
Ai tha se serbët e veriut janë larguar edhe më shumë dhe kanë mbetur të papërfaqësuar politikisht me kryetarë komunalë pa legjitimitet.
Kasolli tha se ky problem nuk mund të zgjidhet ndryshe përveçse politikisht.
“Megjithatë , nuk mund te mohohet fakti se këto aksione nuk kanë prodhuar ndryshime në atë pjesë. Shumë struktura ta trashëguara nga grupet ilegale dhe kriminale që kane operuar për dy dekada kanë filluat të çmontohen. Këtë fakt madje e kanë pranuar edhe shumë organizata kredibile ndërkombëtare.Mirëpo, këto fitore ligjore jo domosdoshmërisht janë përkthyer në edhe në fitore politike të shtetit të Kosovës në atë pjesë. Sepse serbët e veriut politikisht janë larguar edhe më shumë nga ky i fundit. Ata mbesin të papërfaqësuar politikisht me kryetarë komunalë pa legjitimitet qytetarë, për arsyeje që dihen nga të gjithë ne. Dhe ky problem nuk mund te zgjidhet ndryshe pos politikisht, sepse asnjë vullnet politik nuk mund të administrohet pafundësisht me masat që deri më tani i ka ndjekur Qeveria e Kosovës pas bllokimit të dialogut. Ndërkohë, vendet partnere ndërkombëtare insistojnë që Kosova të procedojë urgjentisht me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si parakusht për plotësimin e detyrimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti i Kosovës për integrimin dhe akomodimin e qytetarëve serb. Prandaj këtu ekziston rreziku që këto fitore ligjore sot të shndërrohen edhe më shumë në dështim diplomatik dhe shtetëror nesër” përfunduoi përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic” analisti, Afrim Kasolli.
/Gazeta Blic/
Xani: Çështja e Urës së Ibrit mund t’a eskalojë situatën, Kurti duhet të koordinohet me SHBA-të!


