Lajme

Kasanof takon gazetarët në Kosovë, informacionet që i mora gjatë vizitës do t’i dërgojë në Washington

10/11/2024 18:06
nga:Sh R

Alexander Kasanof, i dërguar i ri i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, është duke qëndruar për vizitë edhe gjatë ditës së sotme në Kosovë, më 11 tetor.

Ai sot zhvilloi një takim të mbyllur me disa prej gazetarëve në Kosovë, në mesin e këtyre gazetarëve ishte edhe Adriatik Kelmendi. I pranishëm aty ishte edhe ambasadori amerikan në vend, Jeffrey Hovenier.

Në këtë takim Kasanof ka folur për vizitën e tij të parë në Kosovë, duke thënë se deri tani qëllimi ishte që të ketë sa më shumë informacione rreth çështjeve në Kosovë.

Para gazetarëve në këtë takim, Kasanof u shpreh se të gjitha mesazhet që i mori në takim dhe bisedimet edhe me liderë të shtetit, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, do t’i marrë me vete për të punuar rreth në Washington.

“Dua të potencoj se kjo është vizita ime e parë në Kosovë, dhe ishte kryesisht një vizitë dëgjimore për mua si i sapozgjedhur si Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit amerikan për të mësuar më shumë rreth çështjeve dhe për të hyrë në diskutime me qeverinë, gjithashtu me anëtarët e shoqërisë civile dhe për të hyrë me të vërtetë në çështjet e vendit pak më thellë”.

“Kam mësuar shumë dhe mezi pres t’i marr shumë prej këtyre reagimeve (biseda) me vete kur të shkoj në Washington”, ka thënë Kasanof.

Zëvendësndihmësi Sekretari i Shtetit amerikan është në Kosovë nga dje. më 10 tetor, ai është takuar së pari me presidenten Vjosa Osmani e më pas me kryeministrin Albin Kurti. Pos kësaj, zyrtari amerikan u takua edhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe me atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.