Lajme

Kasanof pason Escobarin/ Haziri: Diplomat me peshë – pres të jetë shtytës në zbatimin e marrëveshjes Kurti-Vuçiq

07/24/2024 14:23
nga:G B

Alexander Kasanof është emëruar zëvendësi i ri i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, me 19 korrik, duke e pasur Gabriel Escobar, mandati i të cilit përfundoi në maj.

Kasanof do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe me partnerët evropianë, “në rrugën drejt arritjes së një marrëdhënieje të normalizuar, paqësore dhe produktive midis dy vendeve”.

Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), për Radio Evropa e Lirë, duke folur për detyrën e re të Kasanof.

Për detyrën e tij, pritjet dhe rolin që do ta ketë në dialog, për Gazeta Blic ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ai thotë se Kasanof është diplomat me peshë dhe njohës i jashtëzakonshëm dhe ka përvojë të madhe.

“Emisari i ri Kasanof do të jetë pasues i politikës së njëjtë të Departamentit të Shtetit. Diplomat me peshë dhe njohës i jashtëzakonshëm i cili përballet me situata të krizave dhe ka një përvojë të madhe. Nuk pritet të jetë asnjë ndryshim në raportet me z.Lajçak dhe po ashtu asiston ndihmës sekretarin O’Brain, i cili mbetet mbikëqyrësi kryesor në emër të qeverisë amerikane”, thotë Haziri.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia janë prioritet i lartë në Ballkanin Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor në fokus ka tre çështje ku Kosova dhe Serbia mbetën prioriteti i lartë para BeH apo edhe Maqedonisë së Veriut, përderisa Mali i Zi dhe Shqipëria janë në nivel tjetër bashkëpunimi”, vlerëson nënkryetari i LDK-së për Gazeta Blic.

Haziri shprehet i gëzuar për emërimin e Kasanof në këtë detyrë të re, derisa pret që të jetë shtytës në zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, teksa shton se edhe Kurti ka ndryshuar qasje për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

“Më ka gëzuar fakti që një profil i tillë do të jetë emisar i SHBA-ve në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë e Serbi. Pres që të jetë shtytës në zbatimin e marrëveshjes Kurti-Vuçiq i datës 27 mars 2023 në Bruksel dhe 18 mars 2023 aneksdokumenti në Ohër. Nga sot edhe vet Kryeministri Kurti ka ndryshuar qasjen në këtë marrëveshje. Nuk flet për nevojën e nënshkrimit por lavdëron rëndësinë e kësaj marrëveshje”, deklaron Lutfi Haziri./Gazeta Blic/

Zëdhënësi i DASH-it: Kasanof do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë