Lajme

Kasanof mbërrin në Shqipëri

12/19/2024 10:10
nga:G C

Pesë muaj pasi u emërua nga Departamenti Amerikan i Shtetit në detyrën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Ballkanin Perdëndimor, Alexander Kasanof, bën vizitën e parë në Shqipëri.

Kasanof mbërriti në Tiranë pasditen e së mërkurës.

Burime diplomatike konfirmuan për A2CNN se vizita e Kasanofit në Shqipëri lidhet vetëm me pjesëmarrjen e tij në një aktivitet për 5 vjetorin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që mbahet të enjten në Tiranë.

Sipas burimeve, Kasanof do të mbajë një fjalë të veçantë në aktivitet, si përfaqësues i ShBA-së, që bashkë me BE-në janë ideatorët, financuesit dhe mbështetësit kryesorë të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Pas mbërritjes në Shqipëri, vizitën e parë zyrtari i lartë amerikan, i cili është pasardhës i Gabriel Eksobarit, e zhvilloi në selinë e delegacionit të Bashkimit Evropian ku zhvilloi për gati 60 minuta një takim kokë më kokë me ambasadorin e delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato.

“Mendoj se kemi parë sondazhet e fundit se besimi në institucionet e drejtësisë është rritur edhe për të kuptuarit gjithashtu se institucionet e drejtësisë nuk janë më të ekspozuara si ishin më parë ndaj ndikimit politik dhe ndërhyrjeve politike. Unë nuk shoh ndonjë anësi të veçantë politike në mënyrën se si po vepron SPAK. Unë e kam takuar zotin Dumani, është njeri me integritet të lartë. Ai po bën punën e tij. Nuk kërkon vëmendje, nuk kërkon famë. Ai thjeshtë po bën punën e tij”, tha ambasadori Gonzato në A2CNN.

Puna e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion ka shkaktuar jo pak reagime politike në vend, për shkak të hetimit, arrestimit apo dërgimit për gjykim të zyrtarëve apo ish zyrtarëve të lartë në vend.

Aktualisht, një komision i posaçëm parlamentar për antikorrupsionin dhe mirëqeverisjen ka nisur punë për të çuar përpara reformat, por krijimi dhe puna e tij po ndiqen me vëmendje dhe jo pa shqetësim nga dy donatorët dhe mbështetësit e reformës në drejtësi, ShBA dhe BE.

Ndërkohë në fillim të tetorit Gjykata e Lartë, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, KLGJ dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë njoftuan se nuk do të marrin pjesë me ekspertë në këtë komision.