Alexander Kasanof është emëruar zëvendës i ri i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbikëqyrë politikën amerikane për këtë rajon.
Ai u emërua me 19 korrik dhe do ta pasojë Gabriel Escobar.
Kasanof do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe me partnerët evropianë, “në rrugën drejt arritjes së një marrëdhënieje të normalizuar, paqësore dhe produktive midis dy vendeve”.
Kështu tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), për Radio Evropa e Lirë.
Lidhur me rolin e tij në këtë post dhe pritjet nga ai për punën në dialogun Kosovë-Serbi, ish kryenegociatori i dialogut, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se emërimi i Kasanof në këtë detyrë tregon për fokusin e madh të SHBA-ve ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Z.Kasanof shihet se është një diplomat me përvojë të gjatë dhe sfiduese andaj emërimi i tij flet për një fokus të madh të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.
Sipas Arifit, Kasanof do të vazhdojë aty ku e ka lënë punën Escobar dhe qëllimet e SHBA-ve nuk kanë ndryshuar.
“Kasanof do të vazhdojë aty ku e ka lënë z.Escobar dhe do të vazhdojë të ketë të njëjtat prioritete. Qëllimet e SHBA-ve në Ballkan nuk kanë ndryshuar dhe i vetmi ndryshim që mund të ketë është energjia apo strategjia e re që Kasanof mund të sjellë dhe të kontribuojë në zhbllokimin e procesit të dialogut”, deklaron Avni Arifi për Gazeta Blic.
Edhe ish ambasadorja Alma Lama pret që Kasanof ta vazhdojë punën e njëjtë me Escobar.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic thotë se situata mund të ndryshojë pas zgjedhjeve në SHBA, nëse mund të ketë ndryshim të administratës.
“Pres që zoti Kasanof të vazhdojë punën e njëjtë me z. Escobar, të përpiqet të shtyjë palët drejt implementimit të marrëveshjes. Situata mund të ndryshojë vetëm pas zgjedhjeve në SHBA, në rast se do të ketë një administratë tjetër që do ta ndryshonte fytyrën e politikës së jashtme amerikane”, thekson ish ambasadorja Alma Lama.
Sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e DASH-it, Kasanof ka shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.
Ai ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë.
Po ashtu, ai ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.
/Gazeta Blic/


