Lajme

Kasami: VLEN është fitues i votës së shqiptarëve, BDI ka blerë votat e komuniteteve

04/24/2024 22:17
nga:G B

Koalicioni VLEN ka deklaruar fitoren e votës së shqiptarëve dhe ka akuzuar BDI-në për blerjen e votave në zgjedhjet e fundit presidenciale në Maqedoni të Veriut.

Bilall Kasami, nga ky koalicion, ka deklaruar se VLEN-i është përfaqësuesi legjitim i këtyre zgjedhjeve dhe ka akuzuar BDI-në për humbjen e legjitimitetit politik për të përfaqësuar shqiptarët.

“Ne jemi fitues të votës shqiptare, BDI-ja ka blerë votat e komuniteteve dhe shtresave të rrezikuara shoqërore, VLEN është përfaqësuesi legjitim i këtyre zgjedhjeve. BDI-ja edhe me këto rezultatet nuk nxjerrë deputet shqiptarë, BDI-ja me këto sjellje humb legjitimitetin politik  të flasë në emër të shqiptarëve prandaj ne zgjedhjet e 8 majit ne do të fitojmë”, ka thënë ai.

Sipas tij, VLEN-i është një opsion demokratik që vlerëson vlerat e BE-së dhe do të punojë për të përmbysur rezultatin aktual në zgjedhjet e ardhshme.

“Do ta përmbysim rezultatin që sot BDI-ja e mori me metodat kriminale. I përgëzoj votuesit dhe aktivistët e VLEN për votën dhe punën dinjitoze dhe vullnetin e shprehur lirshëm që treguan se ne jemi një opsion demokratik që vlerëson vlerat e BE-së”, ka deklaruar tutje Kasami nga koalicioni VLEN.