Gazetari nga Shqipëria, Erald Kapri ka thënë se refuzimet e kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë për t’u takuar me njëri-tjetrin janë kalkulime politike, për të rritur kapitalin e tyre politik.
Ai ka thënë në “Info10” se të dy po përdorin popullizëm, sipas tij Kurti po e përdor situatën me Serbinë për politikë, ndërsa Rama përdor vazhdimisht Kosovën.
‘’Duket se është kalkulim i pastër politik. Këtu Rama dhe Kurti po përdorin gjithçka çka po ndodh për të rritur kapitalin e tyre politik dhe personal pa llogaritur e çfarë demi mund të kenë vendet. Po të shikojmë pavarësisht diskursit politik elitar të mediave të Kosovës që përgjithësisht janë kundër asaj që po vepron Kurti, po të shikosh qytetarët shohim se janë në favor të Kurtit sepse ka një ndezje popullzimi sepse duket sikur Kurti po ia përvesh mirë Serbisë, po ia tregon dhembët, po tregon forcë. Kjo politikë populiste shërben vetëm për vota, jo politikë afatgjate. Njëjtën gjë e bën edhe Rama në Shqipëri, e përdor Kosovën, afërsinë që kemi me Kosovën në raport me ndërkombëtarët për t’u ndjerë sa më i rëndësishëm.”, ka thënë ai.
Por, këtë situatë mes dy kryeministrave Kapri e cilësoi si një fazë të rrezikshme për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Në jemi në një fazë të rrezikshme të marrëdhënieve mes dy vendeve. Nuk na tolerohet. Në kaq dy dekada në do duhej të kishim një politik të unifikuar të Jashtme dhe jo të arrinim në një pikë ku dy kryeministrat deklarojnë publikisht se nuk e takojnë njëri-tjetrin. Jam dakord se nga tërë kjo situatë po fiton pikë Serbia dhe jo faktori shqiptar.”, tha ai.
Ai ka thënë se refuzimi nga Kurti për t’u takuar nesër me Ramën, s’lidhet me anulimin e mbledhjeve të dy qeverive, duke thënë se kjo e fundit nuk ishte aspak produktive.


