Skuadra e Trepçës në basketboll ka mposhtur dje Vëllaznimin në çerekfinale të Final8 të Kupës së Kosovës.
‘Minatorët’ siguruan kalimin tutje në gjysmëfinale dhe do të tentojnë ta mbrojnë trofeun e fituar në vitin e kaluar.
Mitrovicasit në gjysmëfinale do të takohen me skuadrën organizatore të këtij edicioni, KB Rahovecin, atje ku pritet të jetë një ndeshje shumë interesante.
Para këtij takimi, kapiteni i skuadrës së Trepçës, Valdrin Haxhiu tha për ‘GazetaBlic Sport’ se atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe se të gjithë janë optimistë për fitore ndaj Rahovecit.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë, të gjithë lojtarët dhe stafi janë optimistë se do të kemi një paraqitje të mirë ndaj Rahovecit dhe do ta sigurojmë finalen duke luftuar si në çdo ndeshje, natyrisht duke mos nënçmuar kundërshtarin“, tha fillimisht Haxhiu.
Më pas, ai foli edhe për synimin e madh që trofeu i Kupës të shkojë përsëri në Mitrovicë, duke thënë se motivi nuk mungon aspak dhe se do të japin maksimumin për t’i gëzuar tifozët e tyre, “Torcidën”.
“Jemi të vetëdijshëm për cilësinë e skuadrave që garojnë në finale dhe motivi nuk mungon. Lufta do të jetë e fortë dhe ne do të bëjmë maksimumin për ta mbajtur kupën në Mitrovicë. “Torcida” është zemra e Trepçës. Jemi krenarë që i kemi prapa nesh, diçka që na jep kurajo të luftojmë dhe të festojmë së bashku”, përfundoi Haxhiu.
/GazetaBlic Sport/


