Sporti

Kapiteni i Trepçës, Valdrin Haxhiu: Çështja e titullit nuk diskutohet, mbetet të shihet vetëm se a do të jetë me rezultat 3-0

05/05/2023 20:00
nga:Mergim Rreci

Kapiteni i skuadrës së Trepçës, Valdrin Haxhiu është prononcuar para ndeshjes me skuadrën e Pejës.

Të dy skuadrat do të takohen ditën e diel në ndeshjen e dytë të finales, me ‘Minatorët’ që shkojnë të motivuar pas fitores në takimin e parë, shkruan GazetaBlic Sport.

Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, kapiteni Haxhiu tha se është jashtëzakonisht optimist se do ta fitojnë titullin kampion, por mbetet vetëm të shihet se a do të triumfojnë me rezultat 3-0.

“Pas fitores ndaj Prishtinës vetëbesimi tek ne është rritur në maksimum. Për momentin, tek ne nuk diskutohet se a do ta fitojmë titullin kampion, por diskutohet vetëm se a do ta fitojmë me rezultat 3 me 0, apo me një rezultat tjetër”, tha Haxhiu.

Tutje, Haxhiu tha se si basketbollistët, ashtu edhe kryesia e klubit janë shumë të lumtur që kanë mbështetje të tyre një tifo-grup si ‘Torcida’.

Çdo rezultat dhe çdo sukses i yni buron tek ‘Torcida’. Dëshira e madhe e qytetarëve dhe lidhja e tyre e fortë me basketbollin ka ndikuar që edhe njerëzit e duhur të jenë momentalisht në klub. Ata janë lojtari ynë i 6-të. Mund të themi lirisht që jemi i vetmi qytet që ka kërkesa ekstra për një palestër, por e di që edhe ata që nuk sigurojnë një vend në palestër janë gjithmonë me zemër në mbështetje të tonë”, përfundoi Haxhiu.

/GazetaBlic Sport/