Sporti

Kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu flet për fillimin fantastik, paralajmëron Gjilanin

10/01/2021 21:12
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Malishevës është duke vazhduar me paraqitjet e mira në këtë edicion të Superligës së Kosovës.

Skuadra e trajnerit Arsim Thaçi renditet në vendin e katërt në tabelë pas shtatë xhirove, por që lehtësisht ka mundur të jetë edhe më lartë në bazë të paraqitjeve të mira që kishte deri më tash, shkruan GazetaBlic Sport.

Në xhiron e tetë, Malisheva e pret skuadrën e Gjilanit në stadiumin “Liman Gegaj”, atje ku pritet të jetë një ndeshje jashtëzakonisht interesante.

Kapiteni i kësaj skuadre, Dren Kryeziu për ‘GazetaBlic Sport’ tha se kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë, por që as Gjilani nuk do ta ketë të lehtë ndaj tyre.

Kryeziu tha se është shumë i kënaqur me fillimin e edicionit dhe se synojnë që të jenë në top 5-shen e Superligës.

“Ne kemi filluar siç është më së miri edicionin e parë në Superligën e Kosovës dhe po bëjmë paraqitje shumë të mira. Synojmë që të jemi në mesin e tabelës, eventualisht në top 5-she. Ndeshja ndaj Gjilanit do të jetë një përballje shumë e vështirë, sepse kemi një kundërshtar që vjen nga 2 rezultate pozitive, por do t’a ketë shumë të vështirë në tempullin “Liman Gegaj,” sepse kemi favorin e fushës vendase dhe tifozerinë “Tornado” që na mbështesin çdo lojë”, tha Kryeziu për GazetaBlic Sport.

/GazetaBlic Sport/