Kapiteni i Kosovës U19, Elliot Bujupi zbuloi se ishte e vështirë për lojtarët kur e kuptuan se Spanja realizoi në sekondat e fundit ndaj Austrisë – megjithatë ai tha se ndihet krenar me paraqitjet në këto tri ndeshje kualifikuese.
Kosova fitoi ndaj kampionit të Europës, Spanjës dhe sot ndaj Ishujve Faroe, por humbi nga Austria, gjë që ndikoi në fund edhe në renditjen tabelare dhe mos kualifikimin tutje.
“Jam shumë krenar me paraqitjet tona, i kemi bo krejt Kosovën krenar, e kemi mujtë Spanjën që është kampion i Europës që është shumë sukses. Loja e parë na kushtoi”, tha fillimisht Elliot Bujupi për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai tha se tashmë duhet të vazhdojnë tutje dhe këtë cikël ta marrin si mësim.
“Është shumë e vështirë, sepse e kemi dhënë maksimumin kundër Spanjës edhe sot ishim shumë të disiplinum, por Spanja realizoi krejt në fund dhe ishte shumë e vështirë për ne kur e kuptuam, por s’kemi çfarë të bëjmë. Duhet të shikojmë përpara, kemi shumë lojtarë të talentuar”, vazhdoi ai.]
Në fund, Bujupi tha se për të është krenari që ishte kapiten i “Dardanëve”.
“Jam krenar që jam kapiten, është detyrë e re për mua, përgjegjësi e madhe, por besoj që e kemi bë mirë. Morëm 6 pikë – por s’ia dolëm”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/