Kapiteni i Galatasaray, Fernando Muslera ka reaguar për kritikat e vazhdueshme të trajnerit të Fenerbahces, Jose Mourinho dhe i ka bërë thirrje që të largohet nëse nuk i pëlqen futbolli në Turqi.
Mourinho e pranoi sfidën këtë verë për të drejtuar Fenerbahcen dhe për të rrëzuar nga froni Galatasaray në krye të ligës turke. Megjithatë, javët e fundit specialisti portugez është bërë veçanërisht i mprehtë në sulmet e tij ndaj Federatës Turke të Futbollit, e cila sipas tij po dëmton skuadrën e tij në kurriz të rivalit të madh.
“Nervozohem kur shoh një trajner që ka katër muaj këtu duke folur kaq shumë. Është koha që dikush t’i thotë diçka: Nëse nuk të pëlqen, largohu”, ka thënë Muslera për “Marca”.
“Jam shumë i shqetësuar për shkak të sulmeve të tij të vazhdueshme si ndaj gjyqtarëve ashtu edhe ndaj gjithë futbollit në Turqi”, shtoi portieri uruguaian.
Pas 11 xhirove në kampionatin turk, kampioni i dy sezoneve të fundit, Galatasaray, është lider në renditje me 31 pikë. Fenerbahce është në vendin e dytë me 26 pikë.
/GazetaBlic Sport