Sporti

Kapiteni i Fushë Kosovës, Nasuf Berisha, flet për formën e mirë të klubit: “Jam i bindur se viti 2023 do jetë viti ynë””

01/01/2023 13:52
nga:E K

Fushë Kosova ka zhvilluar një gjysmë sezoni të parë të jashtëzakonshëm duke e përfunduar sesionin vjeshtor si kampion i Ligës së Parë në grupin B të Kosovës.

Kapiteni i Fushë Kosovës, Nasuf Berisha për GazetaBlic Sport ka treguar sfidat dhe ambiciet personale të tij dhe ekipit gjatë këtij viti duke deklaruar se besimi i skuadrës është që forma do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm.

“Në vitin 2022 në aspektin personal jam shumë i kënaqur si rrjedhojë e rezultateve dhe atmosferës brenda ekipit”, tha fillimisht Berisha.

Berisha thotë se një sukses i tillë i klubit të tyre nuk është i papritshëm pas punës së madhe që kanë zhvilluar çdo anëtarë rreth skuadrës.

“Po e kam pritur duke pasur parasysh punën e madhe që është bërë nga drejtuesit e klubit të cilët i kemi afër çdo moment si në fitore poashtu edhe në humbje. Edhe trajneri së bashku me stafin kanë bërë një punë mjaft profesionale, duke mos munguar asnjëherë përkrahja e “Pampurave”, shtoi Nasuf Berisha.

“Padyshim që pika më e fortë e klubit është atmosfera brenda grupit, si dhe është shumë pozitive që ekipi ka një moshë mesatare mjaft të re dhe të etur për sukses. Poashtu kemi një trajner i cili na motivon për të vazhduar drejt suksesit”, vazhdoi kapiteni i Fushë Kosovës.

Berisha tregon se momenti më i dalluar në këtë vit ishte shpallja kampion vjeshtor kurse vazhdoi që edhe vitin tjetër pret të njëjtën ecuri.

“Momenti më i bukur është kur jemi shpallur kampion vjeshtor. Nga viti 2023 pres që të vazhdojmë me ecuri të njëjtë me një punë intensive duke arritur qëllimin e vetëm të cilin e kemi pra inkuadrimin në Superligën e Kosovës”.

“Unë si kapiten i ekipit jam i bindur që ky vit do jetë i qytetit të Fushë Kosovës së bashku me tifozerinë më të mirë në Kosovë “Pampurat” – përfundoi kështu Berisha për GazetaBlic Sport.