Lajme

Kapen mijëra euro në portin e Durrësit, arrestohet shoferi i një kamioni

10/24/2024 12:54
nga:Y I

Kontrolli i policisë kufitare në Durrës i shoferit të një kamioni që vinte nga Italia, ka çuar në gjetjen e disa mijëra eurove.

Uniformat blu sqarojnë se shtetasit Elton Balliu i janë gjetur të fshehura në trup dhe çantë, 88 000 euro që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale.

34-vjeçari u arrestua, ndërsa në vijim të kontrolleve, në kamionin që drejtonte prej tij u gjetën edhe 18 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara.

“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë u finalizua operacioni i koduar “Pakot”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë. Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, me metoda bashkëkohore, kamioni që drejtonte 34-vjeçari. Nga kontrollet, këtij shtetasi i janë gjetur të fshehura në trup dhe në çantë, me qëllim mosdeklarimin, 88 000 euro (të ndara në 4 pako të mbështjella me natriban) që kanë burim të dyshimtë, ndërsa në kamion janë gjetur 18 shishe me verë që dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me faturë blerjeje.”

Balliu akuzohet për veprat penale “përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.