Një veturë me targa të Serbisë është ndaluar nga Policia e Kosovës në Leposaviq në të cilën ishin katër kosovarë të cilët dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin Kosovë-Serbi.
Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të policisë.
Sipas raportit, rasti ka ndodhur të mërkurën, e të dyshuarit janë verifikuar të cilët nuk kanë rezultuar si persona të kërkuar.
Rasti është iniciuar si “Kalim i paautorizuar i kufirit”.
“Policia gjatë patrullimit ka ndaluar një veturë me targa të Serbisë ku ishin katër të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se ilegalisht kanë kaluar kufirin Republika e Kosovës – Serbi dhe anasjelltas. Të njëjtit janë verifikuar por nuk kanë rezultuar si persona të kërkuar. Me urdhër të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.