Lajme

Kaos në Fushë-Kosovë, betonierat po u ‘hynë’ në shtëpi

04/18/2024 19:58
nga:Y I

Kalimi nëpër këtë rrugë të jep përshtypjen që je duke udhëtuar në ndonjë vend të thellë malor, por në fakt kjo është rruga ‘Hajrullah Zymi’ në qendrën e re të Fushë-Kosovës.

Kjo gjendje e rrugës me gropa të mëdha e puseta uji është për shkak se përmes saj kalojnë çdo orë kamionë me pesha të rënda, të cilët bartin kryesisht material ndërtimor.

Kjo pasi në këtë rrugë të Fushë-Kosovës ka një varg të fabrikave të betonit, ku qarkullimi i betonit me këto mjete është i përhershëm.

Dëmtimet dalin në pah më shumë pas reshjeve të shiut, kur uji mbush gropat duke i shndërruar në puseta uji.

Por rruga që lidh këto fabrika me qasje në rrugën kryesore Fushë Kosovë-Prishtinë, kalon nëpërmjet këtyre banesave të shumta, ku jetojnë mijëra qytetarë të rinj të Fushë Kosovës.

Bejtush Ahmeti është njëri nga qytetarët që jeton në këtë zonë, dhe sipas tij jetesa këtu për shkak të këtyre mjeteve të rënda të transportit është shumë e vështirë.

Bizneset e tilla të prodhimit të materialit ndërtimor nuk janë preferuar në zonat e banueshme, duke pasur parasysh faktin se përveç rrezikut, ato bëjnë edhe shumë zhurmë dhe pluhuri që nxjerrët nga punimi i këtyre materialeve është i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

Kiks Kosova ka provuar të flasë me pronarët e këtyre kompanive, për të marrë qëndrimin e tyre rreth ankesave të banorëve të zonës, por nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje.

E përderisa bizneset heshtin, banorë të tjerë që janë duke jetuar pikërisht në këtë rrugë, por më afër qendrës, thonë që këto kompani duhet të jenë larg vendeve të banueshme, ashtu siç është edhe e përcaktuar me ligj.

Po ashtu hallin e kanë edhe te veturat e tyre që nuk mund të përballojnë edhe një kohë të gjatë gropat.

Mirëpo, në këtë rast kemi të bëjmë edhe me fushëveprimtari të punës industriale shumë afër banimit, për të cilën ka ankesa nga banorët e kësaj zone.