Kryeministri, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të aplikojnë në konkurset e hapura në ndërmarrjet publike.
Kurti nëpërmjet një postimi në Facebook, veçanërisht ftoi gratë, pjesëtarët me nevoja të veçanta dhe pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë.
“Andaj, ftojmë të gjithë, veçanërisht gratë, personat me nevoja të veçanta dhe pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që të aplikojnë në konkurset e hapura për të realizuar këtë potencial dhe për t’i rikthyer ndërmarrjet tona publike në kontribues të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së gjithmbarshme”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Thirrje për aplikim në konkurset e hapura në Ndërmarrjet Publike
Suksesi në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve tona publike varet sa nga vullneti aq edhe nga angazhimi. Vullneti i institucioneve. Angazhimi i profesionistëve.
Ne jemi të bindur se ndërmarrjet publike kanë potencialin që të jenë motori i zhvillimit ekonomik ngase operojnë në sektorët kyç të ekonomisë si ai i energjetikës, minierave, komunikimeve postare e elektronike, transportit hekurudhor, e ujërave.
Kjo na bën që të jemi të përkushtuar që në to të angazhohen profesionistë me aftësi e përgatitje të duhura krahas integritet personal.
Andaj, ftojmë të gjithë, veçanërisht gratë, personat me nevoja të veçanta dhe pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që të aplikojnë në konkurset e hapura për të realizuar këtë potencial dhe për t’i rikthyer ndërmarrjet tona publike në kontribues të zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së gjithmbarshme.


