Euro2024

Kane: “Boll me fjalë, të flasim në fushë”

06/30/2024 16:46
nga:E K

Anglia synon të fitojë Europianin e parë në histori, kompeticion që i shkoi shumë afër në Euro 2020. Por deri tani në Gjermani 2024 djemtë e Gareth Southgate kanë shfaqur fare pak nga potenciali që zotërojnë.

Gjithsesi, tifozët ishullorë urojnë që skuadra të ndryshojë marsh dhe sot (18:00) kundër Sllovakisë në “Veltins Arena”, të bindë, fitojë dhe kualifikohet në raundin çerekfinal. Aty ku i pret Zvicra.

“Sllovakia është ekip i rrezikshëm, ata kanë shumë lojtarë të shkëlqyer. U pëlqen të bëjnë presing lart dhe t’ua vështirësojnë jetën kundërshtarëve. Gjithashtu janë mirë edhe në qarkullimin e topit.

Na pret një duel shumë i fortë dhe i vështirë. Sllovakia është e fortë fizikisht, por edhe teknikisht nuk janë keq. Ne i kemi mundësitë për të siguruar rezultatin pozitiv, por duhet të japim maksimumin”, shprehet Harry Kane.

Kapiteni dhe goleadori i “Tre Luanëve”, i cili është përballur me kritikat për performancën e tij në fazën e grupeve, thekson se presioni do të vijë në rritje.

“Kualifikimi është ajo që ka rëndësi. Koha kalon shpejt në turne si Europiani. Në sfidat me eliminim direkt edhe presioni shtohet, vjen gjithmonë e më shumë në rritje.

Kemi nevojë për një ndeshje të madhe. Është momenti të flasim më pak dhe të tregojmë në fushë aftësitë tona.

Na mungon ajo ‘shkëndija’ aq e nevojshme, teksa duhet të jemi më cinikë në rastet përpara portës kundërshtare”, u shpreh Harry Kane.