Më 57 vota për dhe 56 kundër, Albulena Haxhiu dje dështoi të zgjedhet kryetare e Kuvendit, derisa u propozoi sërish nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pas saj, emri i propozuar ishte Donika Gërvalla, e cila mori gjithsej 56 vota për dhe 56 kundër, teksa deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi nuk votoi për të.
Më pas ajo sqaroi se arsyeja ishin deklaratat e Gërvallës për bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin, vite më parë.
Nga Vetëvendosje tha se kanë pasur pritshmëri se Gërvalla do të votohej nga LDK e AAK, madje Faton Peci tha se ajo është më LDK se vet LDK-ja.
Po ashtu, theksuan faktin se ajo është vajza e Jusuf Gërvallës dhe deputetët e ish partive opozitare nuk e votuan.
Megjithatë, Peci tha i kanë edhe katër emra të tjerë për propozime për kryetar të Kuvendit.
Lidhur me këtë, ish diplomati, Avni Arifi, thotë se kandidimi i Gërvallës ishte shprehje e vullnetit bllokues të Kurtit dhe VV-së dhe vota e opozitës ishte e natyrshme.
“E natyrshme, e drejtë dhe njerëzore vota e opozitës kundër zonjës Shwartz. Kandidimi i saj ishte shprehje e vullnetit bllokues të Kurtit dhe VV-së”, thotë ai për Gazeta Blic.
Sipas Arifit, Kurti do të bëjë gjithçka që të mos votohet kryetari i Kuvendit, por që thotë se shpreson se njëri nga kandidatët e ardhshëm do të votohet nga partitë tjera.
“E qartë tanimë se ai do të bëjë gjithçka që të mos ketë kryetar konsensual me qëllim që të shpenzohet 30 ditëshi. Pavarësisht se a e mbërrin apo jo, Kurti merr përgjegjësinë e shkeljes së Kushtetutës. Megjithatë, unë shpresoj njërin nga kandidatët e ardhshëm, opozita do ta votojë”, deklaron Arifi.
Ndërsa, ish diplomatja Alma Lama, thotë për Gazeta Blic se është tallje propozimi i emrave që nuk i kanë votat dhe strategji për t’i lënë fajtore partitë tjera për bllokadën.
“Propozimi dhe hedhja e emrave në votim pa ua siguruar votat, pra pa bërë një marrëveshje me subjektet e tjera, dhe duke e ditur se nuk votohen është në radhë të parë tallje klasike me këta emra, në radhë të dytë është vazhdim i qasjes jo serioze dhe bllokuese të Lëvizjes Vetëvendosje, në radhë të tretë është tallje me votën e qytetarëve dhe në radhë të katërt është strategji për të lënë partitë e tjera fajtore për bllokimin, gjë që nuk po iu ecën”, vlerëson ajo.
Lama thekson se një subjekt politik serioz nuk mund të sillet kështu, por e cakton një emër të pranueshëm.
“Një subjekt politik serioz nuk mund të sillet në këtë mënyrë, por cakton emra serioz për një post kaq të rëndësishëm siç është kryetari i Kuvendit, një emër të pranueshëm edhe për subjektet e tjera pasi Kuvendi është i vetmi institucion ku pozita dhe opozita duhet të bashkëpunojnë”, deklaron Alma Lama./Gazeta Blic/


