Lajme

Kandidati për prokuror të shtetit ndalohet për dhunë në familje nga Prokuroria e Prizrenit

07/26/2024 22:52
nga:Y I

Kandidati për prokuror të shtetit, D.M (emër i njohur për redaksinë) është ndaluar nga Prokuroria Themelore në Prizren si i dyshuar për dhunë në familje.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” prokurori Beqë Shala.

“Po saktë qashtu është, po po është ndalu”, tha Shala.

Prokurori Shala i pyetur nga redaksia lidhur me kërkesën për caktim të masës së paraburgimit, tha se do të kuptohet ditëve në vijim.

“Krejt i merrni vesh ditëve në vazhdim”, shtoi prokurori Shala.

“Betimi për Drejtësi” me kërkesë të prokurorit Shala ka kontaktuar me zëdhënësen e kësaj Prokurorie, Fitore Mehmeti-Sejrani për të marrë konfirmimin nga ajo, por se e njëjta ka qenë e paqasshme.

Ndryshe, nga lista e fundit e kandidatëve për prokurorë, del se D.M., i cili është bashkëpunëtor profesional në Prokurorinë e Prishtinës, ka kaluar testin me shkrim dhe se i njëjti pritet t’i nënshtrohet fazës së testimit me gojë.