Mehmet Klinaku, kandidat për deputet nga AAK, ka thënë se në sytë e diasporës, Kosova aktualisht është në gjendje të tmerrshme.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se kjo është arsyeja pse ai ka ardhur dhe ka kandiduar për deputet.
“Në gjendje të tmerrshme duhet me thënë, kjo është edhe arsyeja kryesore pse kam ardhur dhe kam kandiduar për deputet se boll është boll, është diçka që nuk shkon më, nuk shoh më asnjë derë që guxon me iu hap kësaj lëvizje, kësaj iniciative që tenton vetëm t’i përçajë shqiptarët, ne nuk e kemi as luksin e as nevojën. Unë e shoh shumë më të arsyeshme sot të vijmë e të votojmë që ta largojmë këtë qeveri që e kanë uzurpuar vendin, të vijnë shqiptarët nga diasporës që të tentojmë ta largojmë këtë lloj qeverisje të imponuar që i kanë uzurpuar disa zyra dhe nuk iu intereson për qytetarët. Është shumë e nevojshme, më shumë e nevojshme është të votohet kundra tyre, sesa në kohën e luftës kur e kanë kapur njerëzit pushkën për të luftuar kundër serbëve. Sot kemi arritur shumë gjëra që është rrezik me i humb krejt, atëherë s’kemi pasur asgjë por kemi tentuar të bëjmë diçka. E shoh një krahasim në atë nivel, që për Zotin, mjaft është mjaft, ne e shohim se është ka shkon dëm”, ka vlerësuar ai.
Klinaku e sheh të gabuar perceptimin se diaspora është me Vetëvendosjen, teksa shprehet tejet kritik për fyerjet e përçarjet që tentohen të bëhen për mërgimtarët.
“E kam thënë që disa herë se është një fenomen apo perceptim prej shqiptarëve këtu në Kosovë që diaspora janë me Vetëvendosjen, unë e shoh që është shumë e gabuar. Njerëzit që janë atje, shumica hezitojnë edhe të komentojnë, të fyhen njerëz dhe ai perceptimi që po bëhet në rrjete sociale. Njerëzit e ndershëm, unë s’po dua ta fyej askënd sepse të gjithë shqiptarët janë atje të ndershëm dhe nuk guxojmë t’i ndajmë e të themi ti je i ndershëm dhe ti i pandershëm. Fyerjet që i merr ti me një koment shumë të shëndosh që e poston në media sociale, fyerjet që i merr pa masë është e panevojshme dhe ajo po ndikohet, po perceptohet edhe prej këtu se ata janë shuar, unë e shoh se ata janë pakicë, pakicë shumë e vogël që po tentojnë të fyejnë e përçajnë, e këto gjërat nuk na duhen, duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë këto. Shqiptarët kanë nevojë për bashkim, kanë nevojë të shohin se çka po bëhet në Shqipëri, nëpër krejt shqiptarinë, në mërgatë, të bëhen bashkë dhe të investojmë. Zhvillimi ekonomik është ndoshta edhe përcaktimi i fituesit në rajon, s’guxojmë ne të tentojmë edhe të themi ne jemi shtet dhe jemi patriotë dhe nuk duam ta zhvillojmë vendin. Zhvillimi ekonomik është përcaktues sot për sot në krejt botën. Bile neve në rajon, në Ballkanin Perëndimor me na e dhanë një siguri, garanci, përmes zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Mehmet Klinaku./Gazeta Blic/


