Lajme

Kandidati i AAK-së, Lulzim Kabashi: Me mua kryetar, nuk do të ketë të papunë në Prizren

09/24/2021 20:25
nga:M K

Kandidati i AAK-së për të parin e kryeqytetit historik të Kosovës, Prizrenit, Lulzim Kabashi, ka dhënë një premtim voluminoz për banorët e komunës që ai synon ta drejtojë.

“Blic Interview me Astrit Gashin – Formati Zgjedhor“, prodhim i portalit GazetaBlic, Kabashi ka thënë se nëse ai fiton zgjedhjet lokale dhe zyrtarizohet si i pari i Prizrenit, në fund të mandatit nuk do të ketë asnjë të papunë në vendin që ngërthen histori, traditë e atraksion.

Sipas entit të statistikave, momentalisht në komunë janë afro 19 mijë qytetarë të papunë, porse beson që ka shumë banorë që janë duke punuar, e njëkohësisht janë të lajmëruar në ent si të papunë.

“Nëse realizohen këto projekte madhore e që mund të bëhen, pra te zonat industriale, atëherë në mandatin tim nuk do të ketë të papunë. Herën e kaluar kam thënë se do t’i hapë 5000 vende pune, tani po them se nuk do të ketë të papunë.

Aktualisht në Prizren janë afro 19 mijë të papunë sipas entit të statistikave, por mendoj se ka shumë që janë të lajmëruar aty e në fakt edhe janë duke punuar”, tha ndër të tjera Kabashi për “Blic Interview me Astrit Gashin“.

/GazetaBlic/