Lajme

“Kancerogjen, e shpërbën Kosovën”/ Baraliu: Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese nuk është garanci – të mos pranohet

10/31/2023 15:00
nga:G B

Profesori i të Drjetës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për Asociacionin, se a duhet të pranohet dhe si duhet të veprohet me të.

Ai thotë se Serbia po kërkon kohë që ta shtyjë pranimin e Kosovës si shtet dhe po refuzon nënshkrimin e marrëveshjeve, duke pritur që të përfundojë lufta në Ukrainë në favor të Rusisë dhe bashkë me të t’i realizojë planet në Ballkan e Kosovë.

“Thjesht si lojë politike të Serbisë, e cila është e interesuar që të blejë kohë, të shtyjë pranimin de jure, de facto të Kosovës, ta refuzojë, po ashtu nënshkrimin e marrëveshjeve, që po të nënshkruheshin do të kishin validitet, vlerë më të madhe, pro duke shpresuar që finalja, epilogu i luftës në Ukrainë do të jetë i favorshëm për Rusinë e pastaj bashkë me Rusinë të realizojë planet e caktuara destruktive në Ballkan, e brenda Ballkanit edhe Kosovën”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Baraliu ka komentuar rreth mundësisë që Asociacioni të dërgohet në Kushtetuese, siç ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Por, sipas profesorit, dërgimi i saj në Kushtetuese nuk është garancë, pasi edhe ajo gabon.

“Mundet dhe aq më parë, më lejoni të konstatoj që nuk do të thotë garancë fare Gjykata Kushtetuese, përkundër të gjitha mendimeve, edhe të kësaj qeverie edhe të atyre të mëhershme, në qoftë se shkon ai tekst i projekt statutit, sepse Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj, duke trajtuar parashtresën e ish presidentes Jahjaga atëherë lidhur me marrëveshjen e dytë të 2015-ës, për parimet e asaj që quhet Asociacion ka gabuar”, thotë ai.

Baraliu e sheh Asociacionin shkatërruar, kancerogjen për Kosovën dhe që e shpërbën Kosovën.

“Ka gabuar kur ka thënë se Asociacioni duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjen e 2013-ës, ndërkohë që edhe sipas asaj marrëveshje, Asociacioni është jo i mirë, shkatërrimtar, destruktiv, kancerogjen për Kosovën, prandaj ka gabuar ky kryeministër dhe kushdo tjetër që pranon çfarëdo forme të Asociacionit edhe në frymën e kinse Kushtetutës, sepse në frymën kushtetuese është një asociacion, që është i rregulluar me ligj dhe mundet kushdo, subjektet politike, komunat pa marrë parasysh përbërjen etnike, madje kemi bashkëngjitjen e komunave veriore në Asociacionin e Komunave të Kosovës, pra Asociacioni nuk ka nevojë të bëhet, nuk duhet të bëhet dhe nuk duhet të pranohet në asnjë mënyrë, sepse është destruktiv, e rrezikon dhe e shpërbën, dekompozon shtetin e Kosovës”, vlerëson tutje ai.

Andaj, sipas tij, kushdo që merr përsipër një përgjegjësi të tillë është e pariparueshme.

“Prandaj, kushdo që merr përsipër një përgjegjësi të tillë, pa marrë parasysh kërkesave të ndërkombëtare që janë të padrejta dhe të njëanshme dhe janë nën presion ndaj Kosovës dhe kanë qenë vazhdimisht prej kur ka filluar dialogu me Serbinë, e merr një përgjegjësi që është e dëmshme, skajshmërish e papërmirësueshme dhe e pariparueshme”, deklaron Mazllum Baraliu./Gazeta Blic/