Lajme

“Kancerin e Gjirit e Mposhtim së Bashku”, lansohet fushata për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit

10/01/2024 21:50
nga:G C

Ministria e Shëndetësisë ka lansuar fushatën për Ndërgjegjësimin Kundër Kancerit të Gjirit.

Nën moton “Kancerin e Gjirit e Mposhtim së Bashku”, Ministria e Shëndetësisë lansoi fushatën për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit. Kjo fushatë ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për këtë sëmundje që prek mijëra gra por edhe burra çdo vit.

Në fjalën e tij, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se kjo fushatë ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe mbështetjes së pacientëve që përballen me këtë sëmundje, duke veçuar se vetëkontrolli, kontrollet e shpeshta në raste të dyshimeve, si dhe mamografia janë shumë të rëndësishme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Vitia njoftoi se Mamografia si shërbim kyç për diagnostikim, vitin e kaluar shënoi një rekord në numrin e ekzaminimeve, duke mundësuar diagnostikimin në faza shumë të hershme.

“Vitin e kaluar për herë të parë, filluam me shërbime të mamografisë mobile edhe në komunat veriore të vendit, ku për vetëm 3 ditë janë realizuar 180 ekzaminime, Ky hap ka ndihmuar në rritjen e qasjes për gratë në këto zona dhe në identifikimin e rasteve në faza të hershme”, tha ministri.