Lajme

Kancelari i Austrisë para vizitës në rajon: Pa shtetet e Ballkanit, BE nuk është e plotë

03/17/2022 01:24
nga:Astrit Gashi

Kancelari i Austrisë, Karl Nechammer, do të qendrojë sot për vizitë në Serbi, ku dëshiron të përcjellë, siç ka paralajmëruar, qëndrimin e Austrisë se BE-ja nuk do të jetë e plotë, përderisa në Union të mos anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të premtën pasdite, Nehammer do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të bisedojë me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.

Kancelari austriak do të vizitojë edhe kontingjentin austriak të KFOR-it, i cili numëron 274 ushtarë.

“Ne nuk duhet t’ia lëmë në dorë këtë rajon të rëndësishëm për Evropën, në fqinjësinë tonë të afërt, aktorëve të tjerë, si Rusia dhe nuk do të lejojmë destabilizimin e rajonit. Është e rëndësishme për mua ta vizitojë, veçanërisht tani duke pasur parasysh luftën në Ukrainë“, tha Nehammer.

Kancelari austriak do të takohet në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Brnabiq dhe Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirien.