Lajme

Kancelari gjerman: Forcat ruse kanë ngecur në Ukrainë

03/23/2022 11:54
nga:Astrit Gashi

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se forcat ruse po dështojnë të përparojnë në Ukrainë, pavarësisht bombardimeve të rënda të qyteteve dhe qytezave.

Scholz tha se ofensiva e Putinit ka ngecur, pavarësisht gjithë shkatërrimit që po sjell ditë pas dite, raporton BBC.

Ai para politikanëve në Gjermani ka thënë se presidenti rus duhet të dëgjojë të vërtetën, të ndalojë luftimet dhe të përpiqet të gjejë një zgjidhje diplomatike.

Sipas Scholz, lufta nuk po e shkatërron vetëm Ukrainën, por edhe të ardhmen e Rusisë.

Duke paralajmëruar Moskën për dënime të mëtejshme, ai tha: “Ne po forcojmë vazhdimisht sanksionet, por masat nuk duhet t’i dëmtojnë shtetet evropiane më shumë se udhëheqja ruse.”

Scholz ka thënë se ukrainasit mund të mbështeten në Gjermani në dhe se refugjatët janë të mirëpritur në vendin e tij.