Kanadaja ka siguruar një marrëveshje të re për transportin ajror me Republikën e Shqipërisë, ka njoftuar ministri i Transportit i këtij vendi, Steven MacKinnon, përmes një komunikate për media të hënën (15 dhjetor).
Marrëveshja u mundëson disa linjave ajrore të operojnë fluturime të rregullta mes Kanadasë dhe Shqipërisë – deri në 14 fluturime pasagjerësh në javë për secilin shtet, bëri të ditur Otava, raporton “PaxNews”.
Në bazë të marrëveshjes, parashikohen gjithashtu deri në 10 fluturime javore për transport mallrash për secilin vend, me akses në çdo pikë të territorit të të dyja shteteve.
Linjat ajrore mund të nisin ofrimin e shërbimeve sipas kësaj marrëveshjeje menjëherë.
“Kjo marrëveshje e re për transportin ajror me Republikën e Shqipërisë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë, do të hapë mundësi të reja ekonomike për të dyja vendet tona. Ajo do të forcojë gjithashtu lidhjet mes njerëzve dhe do të përmirësojë lidhshmërinë globale të Kanadasë”, ka deklaruar ministri MacKinnon.
Eksportet kanadeze të mallrave drejt Shqipërisë kanë arritur vlerën 85 milionë dollarë në vitin 2024. Shqipëria është gjithashtu destinacioni kryesor i eksporteve kanadeze të mallrave në mesin e vendeve ballkanike jashtë Bashkimit Evropian.
Qeveria kanadeze vlerëson se marrëveshja për transportin ajror do të lehtësojë realizimin e fluturimit të parë të drejtpërdrejtë transatlantik të Shqipërisë.


