Lajme

Kamishi: Kosova është pranë katastrofës shëndetësore, po të kishte prokuror Arben Vitia sot do të merrej në pyetje

09/01/2021 19:14
nga:M K

Letra e Memli Krasniqit dërguar kryeministrit Kurti për t’u bërë bashkë rreth luftimit të pandemisë, solli reagime në opinionin publik.

Megjithatë, një deklaratë e sotme e minsitrit Vitia në një konferencë për shtyp, duket se i zbehu sadopak gjasat që ky bashkëpunim të jetë edhe më i madh për një të përbashkët, luftën ndaj koronavirusit, përcjell GazetaBlic.

Vitia i përgjigjet PDK-së: Bashkëpunim është edhe kur nuk dezinformoni për afatin e vaksinave!

“Bashkëpunim është edhe kur nuk dezinformoni për afatin e vaksinave”, ishte fraza me të cilën ministri i shëndetësisë thumboi PDK-në e cila është e gatshme për bashkëpunim.

Në fakt, Vitia me këtë reagim aludoi në deklarimet e mëparshme të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiut, i cili kishte deklaruar se vaksinat që erdhën nga Norvegjia, e ku sot u asgjësuan 133 mijë prej tyre, ishin pa afat.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me Haxhiun, i cili pati kritika të ashpra ndaj të parit të dikasterit më të rëndësishëm momental, duke thënë se po të kishte prokuror të pavarur sot, Vitia do të përgjigjej para tij.

“Po të kishte prokuror në këtë vend, sot Arben Vitia deklaratën do ta jepte para prokurorit, sepse ka sjellur vaksina në kundërshtim me ligjin, gjegjësisht të pajisjeve dhe produkteve medicinale. Vaksinat të cilat Norvegjia i ka larguar nga përdorimi, i ka pranuar në Kosovë në kundërshtim me ligjin. Prandaj, sot i kemi 133 mijë vaksina me afat të skaduar në stok, të cilat në vend se t’i asgjësonte Norvegjia, Kosova duhet të paguajë për asgjësimin e tyre. Është hera e dytë që Arben Vitisë donacionet i përfundojnë në stok. Ua kujtoj, se ai i ka pranuar edhe 1000 teste prej Serbisë, e të cilat kanë mbetur në stok të MSH-së. Edhe për donacionin prej Serbisë, duhet Kosova të paguajë për asgjësimin e tyre. Arben Vitia duhet të përgjigjet përse prej 15 Qershorit e deri më sot, janë 18 ditë vikendi, në të cilat Ministria ka pauzu. Po të shpërndaheshin vaksina gjatë kësaj kohe, të njëjtat do të administroheshin dhe nuk do t’u skadonte afati”, tha fillimisht Haxhiu.

Tutje, “Kamishi”, kritikoi qasjen e Arben Vitisë në luftën ndaj pandemisë, duke thënë se vetëm në dhjetë ditët e fundit i kemi të vdekur mbi 200 qytetarë të vdekur, ndërsa moralisht ka pyetur nëse Vitia e sheh veten përgjegjës apo vetëm të tjerët.

Madje, ai tha se Kosova tani duhet të paguajë për asgjësimin e vaksinave, gjë të cilën mund ta bënte shteti skandinav, nëse veçse ministri Vitia do t’i refuzonte ato, respektivisht prurjen e tyre në vendin tonë.

“A e sheh veten përgjegjës për ndonjë gjë Arben Vitia pse e ka marrë me udhëheqë MSH-në? Vetëm në dhjetë ditët e fundit i kemi të vdekur mbi 200 qytetarë të vdekur. A e sheh përgjegjës për ndonjë gjë veten apo vetëm të tjerët?, ndërsa ka marrë përgjegjësi me udhëheqë. Po të kishte prokuror të pavarur, ai do t’i përgjigjej atij, e jo të shkojë në pushime në deti e me vallëzu në dasma e mos m’i vaksinu qytetarët. Vaksinat Norvegjia i ka larguar prej përdorimit. Ligji për produktet mjekësore thotë që nëse një produkt mjekësor ose pajisje ka afat skadence më pak se një vit, në momentin e pranimit të atij donacioni, duhet të ketë të paktën 2/3 e validitetit të skadencës. Pra, vaksinat kanë gjashtë muaj afat, ndërsa kur kanë ardhur në Kosovë është dashur të kenë afat katër muaj, në mënyrë që të kenë mundësi distribuimi.Por, ai i ka pranuar vaksinat në buzë të afatit të skadimit edhe nuk i ka distribuuar. Ka gjetë kohë me pushu. E me pushu edhe vikendeve. Për këtë do duhej të intervistohej nga prokuroria e Kosovës”, vazhdoi ai.

Haxhiu, në fund foli edhe masat e reja, duke thënë se të njëjtat janë të vonuara. Pra, sipas tij, fillimisht është lejuar të shpërndahet virusi anë e mbanë vendit, të vijmë pranë kolapsit të sistemit shëndetësor dhe tani të reagojmë, reagim të cilin ai e konsideron të vonuar.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës për mandatin e pestë, pati edhe një kërkesë interesante për MSH-në. Ai tha se kjo e fundit duhet t’i publikojë rekomandimet e IKSHPK-së që nga përkeqësimi i situatës e gjer më tani dhe të tregojë arsyen pse nuk i ka zbatuar ato rekomandime.

“Me 17 Korrik vetëm 98 raste aktive në Kosovë dhe masat sot, kur janë mbi 27 mijë raste aktive, janë shumë të vonuara. Pra, është lejuar që të shpërndahet virusi anë e mbanë dhe të vijmë buzë kolapsit të sistemit shëndetësor. Kosova po hynë në fazën e katastrofës shëndetësore dhe tani çdo masë është e vonuar. MSH-ja është vonuar, ndërsa lirimi i tyre ka qenë pa kritere dhe pa mbikëqyrje. Janë liruar masat dhe inspektorët e AVUK-ut janë larguar nga puna, ndërsa tash në prag të fushatës i kanë pranuar për qëllime politike, jo për t’i kontribuar situatës. Sa i përket masave, duhet parë vlerësimet e ekspertëve, të IKSHPK-së, me i vlerësu pastaj masat. Edhe duhet me i publiku rekomandimet e IKSHPK-së, prej përkeqësimit të situatës, çka i kanë rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë dhe pse kjo e fundit nuk i ka respektuar ato”, përfundoi Haxhiu.

/GazetaBlic/