Lajme

Kamberi takon Kurtin, i thotë se shqiptarët e Luginës s’guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi

12/03/2023 20:00
nga:G B

Partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, kanë zhvilluar sot një takim në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, të cilën e kanë informuar mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit.

Lajmi është bërë i ditur nga deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi përmes një postimi në Facebook.

Ai me këtë rast ka njoftuar kryeministrin Kurti mbi rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

“Shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm”, ka thënë Kamberi.

Ai e ka quajtur të rëndësishme që në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi të vazhdohet përfaqësimi i drejtë dhe i denjë i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Duhet që shqiptarët e Luginës, me votë, të sigurojnë përfaqësimin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën politike për drejtësi e barazi”, ka thënë Kamberi.