Lajme

“Kam besuar në koalicionin me Nismën”, Berisha: Jemi për qeveri të opozitës, me e çu në shtëpi VV-në

10 ditë më parë
nga:G B

Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Bekë Berisha, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se do të marrin pjesë në seancën e nesërme konstituive, por që varësisht nga emri i propozuar për kryetar të Kuvendit, do të votojnë në bashkërendim me opozitën.

“Do të marrim pjesë në seancë dhe çështja e votimeve varësisht se kush është si propozim, që është propozim i shumicës, pastaj do të merremi vesh me opozitën se si do të veprojmë”, tha ai.

Se a pret që të votohet nesër edhe qeveria, Berisha tha se “këto janë parashikime”.

I pyetur lidhur me qëndrimet e Nismës, ai tha se ka besuar në koalicionin me ta por që gjërat kanë lëvizur, ndërsa tha se AAK qëndron e pa lëvizur në qëndrimet e saj, për një qeveri të opozitës.

“Pyetni ata, janë prezent, janë në Prishtinë, thirrni pyetni “a do ta votoni qeverinë”. Kemi pasur koalicion. Unë kam besuar në atë koalicion por po shoh që gjërat kanë lëvizur dhe…ne qëndrojmë në ato fjalë tonat, siç i kemi thënë, për një qeveri të opozitës, me i çu në shtëpi këta që kanë qenë deri tash”, shtoi deputeti.

Por, a mund ta formojnë partitë opozitare qeverinë?

“Po mendojmë, qysh jo”, deklaroi deputeti Bekë Berisha./Gazeta Blic/