Në Kuvendin e Kosovës ka kaluar propozimi për tre anëtarët vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Me vota 63 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i zgjodhi anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Emrat e propozuar që i kanë shkuar Kuvendit për miratim janë: Mirlinda Batalli Zhubi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës nga fusha e drejtësisë; Avni Berisha, profesor nga shkencat e natyrës në Universitetin e Prishtinës dhe Jetmir Haxhibeqiri, profesor në Universitetin e Ghentit (Belgjikë), nga fusha e shkencave kompjuterike.
Mandati i tyre është katërvjeçar.
Diskutimet për këtë pikë kishin përfunduar në tetor të vitit 2023, ku para votimit përfaqësues nga pozita i kishin ftuar deputetët që ta votojnë këtë përbërje.
“Duke qenë se tashmë Kuvendi e ka miratuar Ligjin e ri për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, i cili është në fuqi dhe parasheh që edhe një student të plotësohet nga radha e Këshillit Shtetëror të Cilësisë do të plotësohet dhe kjo pozitë e mbetur e lirë”,kishte thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Në lidhje me këtë, ajo ishte shprehur se rizgjedhja e anëtarëve të rinj është një kontribut për garantimin dhe funksionimin e institucioneve të pavarura dhe garantimin e cilësisë në arsimin e lartë.