Sporti

“Kaloi në formë të jashtëzakonshme me Fushë Kosovën” – Haziraj tregon ambiciet e tij: “Shpresoj që një ditë ta përfaqësojë Kosovën”

01/01/2023 14:26
nga:E K

Rilind Haziraj është një nga lojtarët më të spikatur të vitit 2022.

Fushë Kosova e cila ka zhvilluar një gjysmë-sezoni të jashtëzakonshëm në Ligën e Parë të Kosovës duke u shpallur kështu edhe kampion i sesionit vjeshtor të këtij sezoni padyshim se është ndihmuar shumë nga sulmuesi i tyre kryesor, Haziraj.

Haziraj ka zhvilluar një sezon të mrekullueshëm në aspektin personal duke ndihmuar edhe ekipin e Fushë Kosovës me 16 golat e tij të shënuar deri tani në sezonin 2022/23.

Haziraj ka treguar për GazetaBlic Sport ambiciet e tij personale dhe synimet e klubit të Fushë Kosovës.

“Me plot bindje mund të them se ka qenë ndoshta viti më i suksesshëm për mua në kategorinë senior. Poashtu ka qenë edhe një vit i suksesshëm me ekipin ku edhe u shpallëm kampion vjeshtor”, tha fillimisht Rilind Haziraj.

Haziraj vazhdoi duke deklaruar se ky sukses ishte i pritur nga ekipi pas punës intensive që ka bërë i gjithë grupi.

“Përderisa kemi stërvitur të gjithë me një ritëm jashtëzakonisht të lartë unë dhe gjithë ekipi kemi pritur një sukses të tillë, por kjo nuk do të thotë që këtu përfundon çdo gjë pasi që ka përfunduar vetëm gjysma e sezonit”, shtoi ai.

Ambiciet e tij janë të larta pasi potencoi se ëndrra e tij është që një ditë të përfaqësojë Kosovën dhe të zhvillojë karrierën e tij në ligat evropiane.

Ambiciet e mia për të ardhmen normalisht që si çdo lojtar dua të luajë në ligat më të mëdha evropiane, por ëndrra ime kryesore është që një ditë ta veshë fanellën e Kosovës“, vazhdoi Haziraj.

Haziraj poashtu beson që forma e tij dhe e Fushë Kosovës do vazhdojë edhe në vitin tjetër ku synim kryesor i ekipit mbetet Superliga e Kosovës.

“I gjithë stafi i trajnerëve dhe lojtarëve jemi të bindur që në vitin 2023 synimi kryesor do jetë promovimi në Superligën e Kosovës, por nuk e kemi ndërmend ta lëmë anash as Kupën e Kosovës”.

Sulmuesi i Fushë Kosovës për GazetaBlic Sport tregon momentin më të mirë që ka kaluar në vitin 2022 duke veçuar fitoren e skuadrës së tij ndaj Ramiz Sadikut ku edhe shënoi hetrik.

“Momenti më i mirë që mundem me veçu ka qenë edhe një pikë kthese për ekipin pasi që humbëm në shtëpi ndaj Ulpianës, por u kthyem fuqishëm me Ramiz Sadikun ku edhe shënova hetrik”.

Haziraj nuk dëshiroi të parashikonte numrin e golave me të cilin do ta përmbyllte sezonin duke thënë se synimi i tij është që ta ndihmoj klubin të fitojë dhe se pjesa se nëse shënon apo jo është dytësore për të.

“E kam përmend edhe më herët unë në fushë asnjëherë nuk futem për të shënuar gola madje nga kjo ngarkesë më ka liruar edhe trajneri. Synimi im i vetëm në fushë është ta jap 100% tim në çdo lojë e pastaj kush shënon është problemi më i vogël i mundshëm pasi që shënoj apo nuk shënoj Rilindi feston Fushë Kosova”, përfundoi Rilind Haziraj për GazetaBlic Sport.