Lajme

Kallëzim penal për Zaevin, Kiracovskin, Spasovskin dhe Ruskoskën

05/10/2024 19:17
nga:Sh R

Bojan Jovanovski-Boki ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-shefes së Prokurorisë për Krim të Organizuar në Maqedoni të Veriut, Vilma Ruskovska, të gjithë ish-sekretarëve të përgjithshëm të LSDM-së, përfshirë Oliver Spasovskin, ish-kryeministrin dhe kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev.

Sipas tij, këto janë vetëm një pjesë e kallëzimeve penale, për të cilat tha se ka prova dhe njohuri të drejtpërdrejta.

“Drejtorë të emëruar, persona që kryenin funksione publike, gjyqtarë dhe prokurorë, ish-zyrtarë – të gjithë ishin pjesë e operacionit penalo-juridik “Bumerang”. Bisedën e parë informative e kemi pasur para prokurorit kompetent. Bëhet fjalë për krime që kanë të bëjnë me parregullsi dhe mashtrime zgjedhore, financim të paligjshëm të një partie politike, keqpërdorim të prokurimit publik dhe fondeve. Bëhet fjalë për disa vepra për të cilat janë ngritur kallëzime penale”, tha Bojan Jovanovski.

Ai para mediave tregoi se ka dorëzuar dëshmi për krime që janë sekret publik në Maqedoni të Veriut. /Alsat.mk