Iniciatori i peticionit për Trustin, Adnan Jashari ka dhënë detaje rreth kësaj nisme legjislative, e cila nuk është lexuar ende në Kuvend.
Në një prononcim për GazetaBlic, Jashari ka kritikuar për neglizhencë deputetin e VV-së, Armend Mujën, i cili drejton Komision Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.
“Nisma Legjislative ende nuk është lexuar në Kuvend!Por fatkeqësisht po shihet neglizhenca e Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, i cili drejtohet nga deputeti i VV-së, Armend Muja”, tha Jashari.
Jashari thotë se Nisma Legjislative për Trustin nuk është rend dite në Komision, as këtë javë, edhe pse siç thotë ai kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca iu ‘premtoi’ që projektligji do të kalojë në komision dhe në Kuvend sepse kushtet janë të detyrueshme dhe është një ligji.
“As kjo javë nuk është në rend dite në komision.Kur ia dorëzuam Iniciativën Legjislative në Kuvend me nënshkrime kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ai na tha se projektligji do të kalojë në komision dhe në Kuvend sepse kushtet janë të detyrueshme dhe është një ligji”, tha Jasharaj.
Jashari paralajmëroi se nëse kjo çështje do të vonohet përsëri, janë të detyruar t’i shkruajnë letër zyrtare, Glauk Konjufcës.
“Tani presim që të diskutohet në Komision, nëse vonohet edhe më shumë do të detyrohemi t’i shkruajmë një letër zyrtare zotit Konjufce dhe ta pyesim se çfarë po ndodh”, përfundoi Jashari për GazetaBlic.
Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës i cili është edhe anëtar i këtij komisioni, tha se kur do të jetë në rend dite çështja e Trustit, varet vetëm nga mazhoranca.
Shala në një prononcim për GazetaBlic, thotë se Qeveria Kurti e ka neglizhuar çështjen e Trustit, vetëm se është nismë e opozitës.
“Kjo nuk varet nga ne, është çështje e mazhorancës dhe e Qeverisë Kurti që të bisedojë në lidhje me këtë. Qeveria e ka zhagitur këtë nismë me qëllim që të mos realizohet kërkesa e opozitës për Trustin dhe skemave të tjera pensionale”, tha Shala.
Shala gjithashtu shtoi, se kurdo që do të diskutohet çështja e Trustit do të ketë mbështetjen e PDK-së.
“Në momentin që të vie në Komision, ne do të jemi të gatshëm për të dhënë kontributin tonë edhe si deputet edhe si parti opozitare, por mazhoranca e ka jashtë agjendës. Se kur do të vie në Komision, nuk mund të them asgjë deri sa të vendos kryesia e Kuvendit”, përfundoi Shala për GazetaBlic.
Ndërsa, për të pyetur se sa është e nevojshme për qytetarët e Kosovës kalimi i Trustit, Gazeta Blic ka kontaktuar me njohësin e çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa.
Bellaqa tha se tashmë është pothuajse e domosdoshme që, Trusti të kalojë sepse qytetarët i ka kapluar kriza.
Këtu ai përmendi, inflacionin e lartë dhe pagat e vogla si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.
“Kalimi i Trustit, si iniciativë, duhet t’i kalojë Kuvendit të Kosovës, kjo është e nevojshme për shkak dhe si pasojë e krizës që ka kapur jetën e qytetarit, sepse inflacioni është i lartë dhe pagat janë të ulëta në sektori. private dhe publike, ku nëse lejohet të rritet fuqia dhe forca shitëse”, thotë Bellaqa.
“Nëse lejohet p.sh. 20%, në treg do të dalin rreth 400 milionë euro, ku do të forcohet dhe funksionalizohet ekonomia e Kosovës. Për të rritur mirëqenien ekonomike dhe sociale do të shpenzohej për mallra konsumi, artikuj bazë të shportës ushqimore që do të lejonin jetën e kategorive që kanë ardhur të fundit, pikërisht skemave të pensioneve dhe kategorisë sociale me të ardhura të vogla”, shtoi Bellaqa.
Bellaqa thotë se duke marrë parasysh situatën ekonomike të Kosovës, duhet të respektohet kërkesat e qytetarëve, përndryshe sipas tij këto mjete nuk duhej prekur.
“Në kushte normale këto mjete nuk duhet të preken, por për shkak se atje jemi dhe kemi inflacion të lartë dyshifror apo inflacion galopant, kujdesi dhe jeta e qytetarëve duhet të respektohet”, tha Bellaqa për GazetaBlic.