Lajme

Kajtazi, Kurtit: Prokuroria e rrëzoi narrativën e “luftës hibride”

12/14/2025 22:30
nga:G B

Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar lidhur me deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për rastin e bisedës së publikuar nga “Paparaci” ndërmjet Mimoza Kusari-Lilës dhe Milan Radojiçiqit, të cilën Kurti e ka cilësuar si “montim” dhe pjesë të asaj që ai e quan “luftë hibride”.

Sipas Kajtazit, Kurti i është përgjigjur një pyetjeje sugjestive, duke u mjaftuar me pohimin se incizimet janë të montuara.

Ai ka theksuar në “VV Show” se nuk është pjesë e asnjë lufte hibride apo pazari politik, por se puna e tij është raportim dhe shkrim i bazuar në fakte.

Duke iu referuar rastit konkret, Kajtazi ka rikujtuar se Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë kallëzimin penal të bërë nga Mimoza Kusari-Lila ndaj tij, duke konstatuar se incizimi i bisedës me Milan Radojiçiqin është autentik, i pamontuar dhe i paprekur.

“Tani kryetari i LVV, kandidat për kryeministër, u përgjigj në një pyetje sugjestive që vetëm u dasht me pohu pyetjen. Spat ndonjë gjë. Tha padyshim janë montime dhe pjesë e luftës hibride. Tani Arbeni, Fidani, Kushtrimi, mua më njohin. Ata e dinë që unë nuk jam pjesë e luftës hibride. Unë kur shkruaj shkruaj, kur raportoj raportoj. Nuk jam pjesë e pazarve e as e luftërave hibride. Këtë po ia bëj të qartë dy kolegëve të mi Arbenit dhe Fidanit. Do duhej të sfidohej me argumente dhe prova. Dhe provat janë aktvendimi i Prokurorisë Speciale që hedh poshtë kallëzimin penal të Mimoza Kusari-Lilës kundër meje. Ajo për tu mbrojtur në publik duke e ditur që është shtyer na Kurti për të bashkëpunuar me një terrorist si Milan Radojiçiq më ka bërë kallëzim penal në Prokurori Speciale. Dhe Prokuroria Speciale e ka hedhur poshtë kallëzimin penal, majde ka konstatuar se edhe bazuar në kallëzimin penal që incizimi është i vërtetë, nuk është i montuar, nuk është i prekur”.