Gazetari Vehbi Kajtazi ishte i ftuari i radhës në emisionin Blic Intervieë me Astrit Gashin, raporton GazetaBlic.
Ai theksoi se presioni mbi qytetarët dhe bizneset në Mitrovicë ka qenë shumë i madh gjatë fushatës zgjedhore.
Kajtazi shton se i gjithë aparati shtetëror është përfshirë në Mitrovicë, ku sipas tij Kurti këtë qytet e ka tepër të rëndësishëm.
“Unë njoh shumë njerëz në Mitrovicë. Unë kam familjarë në Mitrovicë. Presioni që është ushtruar në Mitrovicë është i pa parë ndonjëherë. Presion, thirrje, takime, premtime të ndryshme, presion mbi biznese, të cilat nëse nuk rreshtohen mund të kenë pasoja me, nëpërmjet ATK-së, mund të kenë presion prej mekanizmave të shtetit, sepse kur përfshihet komplet aparati shtetëror në një komunë si Mitrovica. Përfshirë mekanizmat e sigurisë. Janë të përfshirë.Unë shpresoj që tash në balotazh, veç ua ka tërhequr vërejtjen dikush se nuk duhet të përfshihen në këto. Megjithatë, gjithë aparati shtetëror është, ka qenë i përfshirë në Mitrovicë, dhe Mitrovicën zoti Kurti e ka tepër të rëndësishme”, tha ai.
Sipas tij, humbja e Mitrovicës së Jugut për Vetëvendosjen do ta rrënoj tregimin e Albin Kurtit rreth “çlirimit të veriut”.
“Lidhet me veriun e Kosovës. Tani aty janë kthyer kryetarët serbë. Janë kthyer me votë të lirë të në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Republikës së Kosovës. Mitrovica e Jugut është ngjitur me, me ato komuna. Dhe nëse mbetet tek PDK-ja edhe Mitrovica e Jugut, atëherë rrënohet tregimi i Albin Kurtit për veriun e Kosovës edhe veriun e Mitrovicës. Se sipas këtyre është e palogjikshme, se këta jetojnë në ëndrra. Është e palogjikshme unë me çliruar veriun e njerëzit atje mos me më dashur mua”, theksoi ai.
Kajtazi thotë se fakti që tash qytetarët mund të mos e votojnë më Kurtin derisa ky insiston se e ka çliruar veriun, thekson se e godet në kurriz propagandën e tij.
“Fakti që tash mund të mos e votojnë Albin Kurtin, derisa ky insiston se unë e çlirova veriun, atëherë e godet në kurriz propagandën e tij. Çlirimi i Kosovës ka ndodhur në ’99-ën. Problemet politike dihen, kanë qenë, por ne kemi pasur sovranitet edhe në atë pjesë, pika doganore. Megjithatë Radojçiq ka qenë aty dhe megjithatë nuk është se ne e kemi futur Radojçiqin në burg, por ai kreu një sulm terrorist dhe ju la një korridor për të ikur nga Kosova”, shtoi ai.
Tutje ai komentoi ngjarjet në veri dhe për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar rasti i Milan Radoiçiçit pas sulmit terrorist në Banjskë.
“A e ke pa, këta kurrë nuk thonë se pse nuk u arrestu Millan Radoiçiçi. Nuk flasin pse nuk u vra Millan Radoiçiçi. Gjithmonë thonë, e kemi përzënë nga Kosova Millan Radoiçiçi. Po ne kemi qenë të obliguar si shtet atë ditë kur ka ndodhë sulmi terrorist, ose me e kapë ose me e vra. Se një terrorist nuk lejohet të largohet kaq lehtë nga, nga një krim kaq i madh. Atij ju krijua një korridor edhe doli edhe iku nga Kosova. Tani pjesë operative nuk duhet t’i komentoj policisë së Kosovës se ne kemi polici shumë profesionale, veçanërisht njësive speciale operative. Por megjithatë një korridor, një korridor ishte. Dhe Mitrovica e Jugut lidhet direkt me këtë tregimin e çlirimit të veriut nga, nga Albin Kurti. Këta nuk mujnë me marrë me mend që shqiptarët e Mitrovicës mos me votu Faton Peci, i cili me demek ka qenë pjesë e një qeverie që e çliroi Kosovën”, përfundoi Kajtazi për GazetaBlic.


