Lajme

Kafiteritë pa kamariera, sekretari i Gastronomëve akuzon Qeverinë: Punëtori po goditet nga keqmenaxhimi i shtetit

07/14/2022 19:31
nga:Genita C

Arian Vranica, sekretar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ka folur rreth mungesës së punëtorëve në kafiteritë, ku shkak është ikja e tyre jashtë vendit.

Në një prononcim për GazetaBlic, Vranica thotë se vazhdimi i TVSH-së në shtije prej 8% për gastronominë do të lehtësonte punën e këtij sektori, teksa cek faktin që një ndryshim i tillë do të ndryshonte në aspektin pozitiv edhe kushtet për punëtorët.

“Ashtu siç kemi kërkuar disa herë për të mirë e ekonomisë së vendit, sidomos për gastronominë, duhet të vazhdohet TVSH-ja në shitje prej 8%. Kjo ju mundëson bizneseve të krijojnë kushte më të mira për punëtorët, ndërsa arsyeja e ikjës së të rinjve është standardi që shumë vështirë do të përmisohet, në krahasim me kushtet e jetës e krizën e ekonomike që ka kapluar vendin”, tha Vranica.

Vranica thotë i bindur se arsyeja kryesore që të rinjtë po nisen drejt shteteve evropiane, është rritja e çmimeve të produkteve bazë, ku shprehet se mungesa e punëtorëve në gastronomi tanimë po vërehet dukshëm.

“Rritja e çmimeve ka qenë një nga faktorët kryesor që të rinjtë po lëshojnë Kosovën. Sa i përket punësimeve në bizneset e gastronomisë, ka pasur kërkesa të mëdha por rritja e çmimeve ka bërë që të jetë e papërballueshme për shumicën e bizneseve që të mbajnë punëtorët në punë. Brenda këtij sektori ka lëvizje të mëdha të punëtorëve”

“Nuk janë marrë politikat fiskale, të cilat shteti është dashur t’i merr në kohën e krizave ekonomike, nuk duhet që të inkasohen sektorët sepse po i dobëson të gjitha me rradhë, veçanarisht gastronominë ku me dobësimin e tyre kafiteritë, nuk do të jenë të afta që të japin asgjë për shtetin”, tha Vranica.

Vranica u shpreh se keqmenaxhimi i shtetit po bën që të vërehet mungesa punëtore në sektorin e gastronomisë, por sipas tij krizë më e thellë është edhe mosdeklarimi i tyre.

“Krahas të gjitha këtyre, ne jemi duke u përballur edhe me kriza më të thella sepse kushtet bazike te shumë punëtorë nuk plotësohen, siç është edhe deklarimi i tyre. Është dashur me i rujt bizneset nga rritja e çmimeve ku këtu përfshihen konsumatorët. Krejt në fund i bie që punëtori po goditet nga keqmenaxhimi i shtetit”, përfundon Vranica./GazetaBlic/

Biletë pa kthim e të rinjve nga Kosova drejt Gjermanisë, afaristët- Qeverisë: 300 euro pagë nuk mjaftojnë as të mbushësh veturën me naftë