Lajme

Kadriu rendit disa nga faktorët që po ndikojnë në largimin e mësimdhënësve nga Kosova

03/07/2024 20:56
nga:Y I

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë konfirmuar sot për “Gazeta Blic” se rreth 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova për vitin shkollor 2023-2024.

Nga SBASHK u tha se pas liberalizimit të vizave, largimi i mësuesve nga vendet e punës, ka njohur rritje.

Në lidhje me këtë çështje mjaft të ndjeshme ka folur për “Gazeta Blic” njohësia e çështjeve të arsimit, Anita Kadriu.

Kadriu rëndit disa nga arsyet kryesore që po qojnë në largimin e mësuesve nga Kosova duke filluar nga pagat e ulta, mungesa e sigurisë në shkolla, sëmundjet  nga të cilat vuajnë mësimdhënësit dhe mungesa e kushteve në shkolla.

“Trendi i ikjes së mësimdhënësve nga Kosova, sidomos pas liberalizimit të vizave është shqetësues për faktin se po ikin mësimdhënës që kanë një përvojë në arsim.Përveç pagave që janë rritur pak për mësimdhënës si pasojë e premtimeve nëpër fusha elektorale, këto paga janë sërish të pamjaftueshme për mësuesit e nivelit parauniversitar duke marrë parasysh standardin ekonomik të ulët në Kosovë. Për të ndalur trendi e ikjes qeveria duhet të rris koeficientin e pagave në arsim”

Kadriu tha se mungesa e sigurisë në shkolla është mjaft e lartë pasi ka nxënës përdorues të substancave narkotike dhe që mbajnë armë të ftohta në shkolla.

Ajo tha se të njëjtit ndihen të pasigurtë pasi janë të ‘zhveshur’ nga kompetencat, marrja e masave ndëshkuesve ndaj nxënësve, si në aspektin ligjor ashtu edhe në praktikë.

“Mungon siguria, mësimdhënësit janë të kërcënuar nga nxënës delikuent që marrin substanca narkotike dhe që mbajnë armë të ftohta në shkolla, ndërsa policia për sigurinë në shkollë po mbetet gjithmonë veç iniciativë, përmendet nëpër konferenca e takime grupe punuese, por asnjëherë s’ka pasur veprim konkret për të ofruar siguri në shkolla. Mësimdhënësit ndihen të pasigurt në ambientin shkollor dhe më e keqja janë të zhveshur nga kompetencat, nga marrja e masave ndëshkuesve ndaj nxënësve, si në aspektin ligjor ashtu edhe në praktikë”

Ekspertja e arsimit, si faktor tjetër, përmendi edhe sëmundjet nga të cilat vuajnë mësimdhënësit.

“Ka shumë mësimdhënës që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe të rënda, shpesh dhe me kancer ata detyrohen të dalin në punë që të mos humbin pagën, sepse nuk ka pensionim të parakohshëm për këtë kategori. Dhe e kemi parasysh sa kushton trajtimi për sëmundjet malinje, ku shumë shërbime ofrohen vetëm jashtë vendit”

Kadriu përmendi edhe mungesën e kushteve nëpër shkolla për zbatimin e planit mësimor.

“Përveç kësaj në shkolla mësimdhënësit përballen edhe me mungesë të kushteve për zbatimin e planit mësimor, sikurse janë mjetet e konkretizimit, laboratorët për lëndët deficitare që mungojnë në shumë shkolla sikurse për kimi, biologji, fizikë. Shembull konkret dhe shumë të thjeshtë për të dëshmuar një formulë kimike një mësimdhënës duhet të blej vet sheqerin apo kripen. Apo kur mësuesit vet blejnë letrën për printer e madje dhe printerin e paguajnë vet për të shtypur testet e nxënësve” deklaroi Kadriu për “Gazeta Blic”.

Kadriu tha se arsimi në Kosovë nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie dhe as aktuales.

“Arsimi asnjëherë nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie, dhe as kësaj aktuale. Vetëm nëpër fushata partitë politike flasin për zhvillim të arsimit, pas fushatave dhe ardhjes në pushtet nuk e kanë prioritet arsimin.Duke parë që arsimi nuk trajtohet me seriozitet nga pushteti, mësimdhënësit nuk shohin perspektivë për vete dhe për familjet e tyre në Kosovë. Prandaj ata po zgjedhin të ikin” deklaroi ajo për “Gazeta Blic”

Anita Kadriu, Njohëse e çështjeve të arsimit!

/Gazeta Blic/

SBASHK: Rreth 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova për vitin shkollor 2023-2024!