Lajme

Kadrijaj për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt: Vendim i padrejtë dhe politik

05/18/2022 15:43
nga:Q R

Time Kadrijaj nga radhët e AAK-së, dënimin e krerëve të OVL-UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, me nga 4 vjet e gjysmë burgim nga Specialja, e konsideron të padrejtë dhe politik. Sipas saj, edhe formimi i kësaj gjykate ka qenë një padrejtësi, pasi që është gjykatë një etnike.

Kadrijaj në një prononcim dhënë për GazetaBlic deklaron se gjykata është dashur të hulumtoj se nga e kanë rrjedhën dhe nga kanë dalë ato dosje që janë dorëzuar në shoqatën e organizatave të luftës, e që sipas saj, kjo e fundit nuk është marrë fare me këtë çështje.

“Kjo është një padrejtësi që po u bëhet ushtarëve të UÇK-së dhe formimi i Gjykatës Speciale ka qenë një padrejtësi, sepse është një gjykatë një etnike dhe mendoj që është edhe gjykatë politike. Ne kemi kundërshtuar formimin e kësaj gjykate, kemi votuar kundër, mirë që është gjykimi në shkallën e parë dhe të ketë rigjykim edhe në shkallën e dytë sepse për ta është e padrejtë sepse ata nuk kanë bërë asnjë krim. Gjykata është dashur të hulumtoj se nga e kanë rrjedhën dhe nga kanë dalë ato dosje që janë dorëzuar në shoqatën e organizatave të luftës, ata nuk janë marrë fare me atë çështje sepse dikush nga brenda i ka shpërndarë këto dosje dhe ne nuk po shohim që prokuroria ka reaguar apo ka hulumtuar në këtë drejtim”, deklaron ajo.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën nga trupi gjykues i kryesuar nga Charles L Smith II.

Sipas aktgjykimit, Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë për pikën 2 “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet kërcënimit, për pikën 3 “Frikësim gjatë procedurës penale”, Pikën 5 për “shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë dhe për pikën 6 për “Shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identitetit të dëshmitarëve, për pikën 4 “Hakmarrje”.

Ndërsa, u liruan për një pikë të aktakuzës.

Gucati dhe Haradinaj dënohen me nga 4 vjet e gjysmë bugim nga Specialja