Lajme

Kadrijaj kritikon BE-në për vizat, kërkon që SHBA-të të kenë rol strategjik në dialog

06/28/2022 16:28
nga:G B

BE ka marrë vazhdimisht kritika nga Kosova, për shkak të mos liberalizimit të vizave.

Ajo është kritikuar edhe për procesin e dialogut me Serbinë, derisa kjo e fundit është favorizuar nga ana e BE-së.

Deputetja e AAK-së, anëtare e Komisionit për Integrime, Time Kadrijaj, thotë për Gazeta Blic se BE vazhdon ta injorojë Kosovën për vizat, pavarësisht përmbushjes së kritereve.

“Qasja e BE-së ndaj Kosovës dhe injorimi i vazhdueshëm ndaj kërkesës legjitime të qytetarëve tanë për liberalizim vizash është për t’u shqetësuar. Kushtet për këtë proces ka vite që janë përmbushur nga vendi ynë, madje Komisioni Evropian edhe vite më parë pati propozuar heqjen e regjimit të vizave, duke konfirmuar që Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit të vizave”, vlerëson ajo.

Lidhur me dialogun, deputetja për Gazeta Blic thekson se është e domosdoshme që SHBA-të të kenë rol strategjik në të, derisa shton se qeveria deri tani ka dështuar në dialog, duke e zhvendosur nga dialog politik në atë teknik.

“Sa i përket dialogut, qëndrimi jonë si AAK vazhdon të jetë i njëjtë. Është i domosdoshëm në këtë proces roli strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne mbështesim një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve. Fatkeqësisht, po shohim se Qeveria e Kosovës në dialog deri më tani ka dështuar, duke e zhvendosur nivelin nga një dialog politik i cili shpie në njohjen e ndërsjellë, në dialog teknik i cili nuk ka kurrfarë afati kohor se kur pritet të përfundojë”, deklaron Time Kadrijaj./Gazeta Blic/